Editorial 28 October 2026, 17:19 Nga VNA

Mbyllja e hetimeve për Ballukun pa kërkesë të re për heqjen e imunitetit, zbythja e SPAK dhe kriza e besueshmërisë

Ndaje në Whatsapp
Mbyllja e hetimeve për Ballukun pa kërkesë të re për

Mbyllja e hetimeve për Belinda Ballukun, pa një kërkesë të re në Kuvend për heqjen e imunitetit, në sytë e publikut lexohet si një zbythje e SPAK. Në mars, kur mazhoranca e Ramës e ktheu mbrapsht kërkesën e parë për autorizimin e arrestit, vetë kreu i SPAK la të kuptohej se institucioni do të rivendoste mbi bazën e provave të reja, nëse hetimi do të sillte ndryshime cilësore në akuzë.

Le të jemi të qartë. Të vlerësojë nëse një i pandehur ka nevojë për masë sigurimi është kompetencë ekskluzive e prokurorisë. Dhe kjo nuk është çështje dëshire apo diskrecioni, por çështje provash dhe faktesh. Fakti që kërkesa u paraqit një herë do të thotë se nevoja ka ekzistuar. Fakt është se para Këshillit të Mandateve prokurorët paraqitën transkripte bisedash për përpjekje për të ndikuar mbi dëshmitarët. Fakt është se që nga ai moment kanë dalë në dritë pasuri të fshehura: një vilë në Dhërmi dhe një tjetër në Palasë, kjo e fundit në emër të një personi të tretë. Fakt është se akuzat jo vetëm janë shtuar në numër, por janë rënduar në cilësi. Sot Balluku akuzohet edhe për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në mars, mazhoranca e mbrojti me argumentin se “nuk ka akuza shtesë”. Sot akuzat shtesë janë aty, të shkruara zi mbi të bardhë. Ndaj është e vështirë të mos e lexosh si zbythje.

Në mungesë të ndonjë lëvizjeje në ditët në vijim, ajo që mund të trumbetohet si sukses i SPAK, në thelb është, dhe mbi të gjitha perceptohet, si dështim. Suksesi i SPAK nuk matet vetëm me numrin e politikanëve të korruptuar që heton. Ai matet me aftësinë për t’i zbatuar standardet që ka vendosur vetë, me konsekuencë fanatike, në çdo rast tjetër të ngjashëm që i del përpara. Ajo që e rrënon drejtësinë është pikërisht selektiviteti.

Kjo ngjarje vë në pikëpyetje jo vetëm besueshmërinë e SPAK në këtë çështje, por hedh hije dyshimi edhe mbi çështjet e tjera: Veliaj, Meta, Berisha. Kjo është pasoja më e rëndë. Sinjalet diskriminuese dhe selektiviteti janë vrasësi më i madh i besimit publik te institucionet. Në çastin kur qytetari fillon të dyshojë se standardi ndryshon sipas emrit, çdo arrestim i djeshëm rilexohet si llogari politike dhe çdo heshtje e sotme si favor.

Teknikisht, kërkesa për heqjen e imunitetit mund të paraqitet edhe tani, gjatë fazës së gjykimit. Por atëherë nuk do të perceptohej si qëndrim stoik, profesional e i pandikuar nga humoret politike. Do të dukej si reagim i vonuar ndaj presionit. Ndaj SPAK duhet të veprojë tani, sepse më vonë do të jetë shumë vonë, për të rimarrë kuotat e besueshmërisë që gëzonte jo shumë kohë më parë. Nuk mund të anashkalohet fakti se periudha e drejtimit nga Klodian Braho është pikërisht ajo ku kurba e besimit duket se ka marrë tatëpjetën e frikshme. Sigurisht, e gjithë përgjegjësia nuk mund t’i faturohet atij, sepse prokurori i çështjes është i pavarur në punën e tij. Por një drejtues ka mjete dhe instrumente. Dhe, siç është në modë të thuhet këto ditë, përgjegjësia është “individuale”. Aq më tepër kur kërkesa e marsit u mbrojt prej tij personalisht.

Sigurisht, nuk mund të pritet që SPAK të sjellë i vetëm ndryshimin e një regjimi. Shqiptarët përballen me një sistem politik të mbyllur, ku pozita dhe opozita bashkëpunojnë më shumë sesa garojnë. Dëshpërimi i tyre natyrshëm kërkon shpëtim te i pari institucion që duket i pakapur. Një institucion drejtësie nuk e ndryshon sistemin politik, kjo është e qartë. Por një institucion kushtetues drejtësie, i ngritur posaçërisht për të ndjekur kupolën politike të vendit, duhet ta bëjë punën me njëtrajtshmëri, pa selektivitet. Virtyti i tij më i lartë është të perceptohet si i pakapur nga politika. Pikërisht këtë rrezikon sot SPAK.

Nuk do të ishte çudi nëse do të ishte i kapur. Nëse jo të gjithë, por ndoshta një pjesë e tyre. Fuqia financiare dhe përmasat e superpushtetit të Ramës, bashkërendimi me Berishën, fuqia mediatike dhe pasiviteti i dukshëm i gardianëve ndërkombëtarë janë kushte që prodhojnë kapjen e çdo institucioni, SPAK përfshirë. Ajo që ka më shumë rëndësi në këtë moment është që kjo situatë të qartësohet sa më parë. Nëse prokurorët e SPAK lihen vetëm, pa mbështetje, nëse sulmohen, izolohen ose, larg qoftë, joshen nga politika, publiku duhet ta dijë. Sepse, jemi të bindur se, regjimet i ndryshon publiku. Kështu na ka mësuar historia. Disa ishuj institucionalë, ose më saktë disa mirazhe, siç duhet të jetë SPAK, thjesht do ta përshpejtonin një përmbysje të tillë. Duke bërë thjesht detyrën.

SPAK si institucion, ose më saktë çdo prokuror i tij dhe çdo gjyqtar i GJKKO-së, ka një detyrim moral ndaj asaj pjese dërrmuese të shoqërisë që i dha mbështetje në heshtje, por me një rreze shprese në shpirt. Ka detyrim moral edhe ndaj intelektualëve, analistëve e sidomos gazetarëve që, me punën e tyre profesionale, i dolën në mbrojtje dhe e mbështetën. Ata e ndihmuan duke zbuluar skandale dhe duke krijuar atmosferën publike të nevojshme, që puna e SPAK të mos dukej si e luajtur me regji politike.

Që të mos jemi të pandershëm me veten, duhet thënë se kjo rënie e besueshmërisë dhe e pritshmërive ndaj SPAK ka ecur paralelisht me rolin e ndërkombëtarëve. Duket se ka një paralele mes pasivitetit të BE-së dhe SHBA-së dhe zbythjes së dukshme të SPAK. Nëse kjo që duket është e vërtetë dhe përbën një linjë të qartë sjelljeje, atëherë situata është edhe më e rëndë se ç’duket. Ta themi qartë: nuk kemi besuar kurrë se procese të tilla pastrimi politik përmes drejtësisë mund të ndodhin vetëm me forcat e institucioneve të drejtësisë, pa mbështetjen e ndërkombëtarëve. Po aq të qartë jemi se ndihma që u kërkohet ndërkombëtarëve, deri në dëshpërim, mund të tingëllojë si paaftësi shtetformuese e jona si shqiptarë. Dhe këtu mund të ketë dozën e vet të së vërtetës. Por të kërkosh ndihmë nga miqtë nuk është as turp, as arkaike. Historia, dhe jo vetëm ajo shqiptare, nuk e ka fshirë kurrë këtë komponent.

Pas reagimeve protokollare të marsit, heshtja shurdhuese e ndërkombëtarëve po vë në rrezik jo thjesht fatin tonë si shqiptarë, por edhe pozicionin e tyre në Shqipëri. Rrezikon rolin e tyre sot, por mbi të gjitha rolin e tyre nesër. Ata e dinë më mirë se kushdo ç’do të thotë të humbasësh kredibilitetin. Sidomos në një vend si ky yni, në një rajon si ky yni, ku barku i autokratëve është gjithnjë pjellor. Të mos e braktisin këtë vend është në të mirën tonë si shqiptarë. Është po aq në të mirën e tyre, të investimit të tyre në Shqipëri dhe të interesave gjeopolitike që mbart ky vend. Sepse përndryshe do të jenë të detyruar të rikthehen. Dhe, ta shpresojmë, jo me autoblinda e operacione paqeje!

Video

Kur merr vesh se ka zjarr tek selia e PS-së

🔴PO NDODH TANI TE RRUGA E ELBASANIT

Problemi nuk janë të pasurit, por ata që nuk po ngopen dot

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme