Një 29-vjeçar italian ka pranuar autorësinë e vrasjes së Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos, në Itali. Sipas hetimeve paraprake, krimi dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti për borxhe të lidhura me drogën.
Maxhallaku, i cili punonte si bojaxhi dhe banonte në Gatteo a Mare, ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 8 tetorit, pasi i kishte thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal. Ai nuk u kthye më, duke lënë pas bashkëshorten dhe vajzën njëvjeçare.
Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, shqiptari është takuar atë mbrëmje me të dyshuarin në banesën e këtij të fundit, ku një debat mes tyre dyshohet se ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit. Hetuesit dyshojnë se italiani kishte grumbulluar borxhe për drogën.
“E bëra unë”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari, i cili ka pretenduar se ishte ndier i kërcënuar dhe kishte pasur frikë për veten dhe familjen.
Pas vrasjes, ai dyshohet se e ka transportuar trupin e Maxhallakut dhe e ka hedhur në një pus pranë fushave, ndërsa i ka vënë flakën edhe automjetit të shqiptarit për të zhdukur gjurmët.
I dyshuari ndodhet në ambientet e karabinierëve në Savignano dhe pritet të transferohet në burgun e Forlit, ndërsa autopsia pritet të sqarojë shkakun e saktë të vdekjes dhe të ndihmojë në zbardhjen e rrethanave të krimit.






















