
Gjatë ditëve të fundit, rrugët e kryeqytetit dhe të disa qyteteve kryesore në vend janë kthyer në një fushëbetejë mes protestuesve dhe forcave të rendit. Trazirat, të shoqëruara me shpërthime molotovësh, gurë, gozhdë dhe zjarre në rrugë, kanë nxjerrë në pah një krizë të thellë besimi mes qytetarëve dhe pushtetit. Në mes të kësaj stuhie shoqërore, vendosja e policisë në rolin e mburojës së parë të institucioneve ka riaktualizuar debatin mbi përdorimin disproporcional të forcës, gazit lotsjellës dhe shoqërimet masive, të cilat kanë nxitur akuza të shumta për dhunë policore nga ana e opozitës dhe aktivistëve të shoqërisë civile.
Pikërisht në këtë moment tensioni maksimal, ku pakënaqësia popullore përballet me shkopin e gumës, ekzekutivi ka zgjedhur të përdorë një strategji të njohur: atë të "pensionimit" të zemërimit dhe garantimit të lojalitetit përmes benefiteve financiare.
Sipas të dhënave më të fundit zyrtare, nga 1 janari i vitit 2027, Policia e Shtetit do të përfitojë atë që qeveria po e cilëson si rritjen më të madhe historike të pagave. Me vendimin e ri:
Roli bazë: Punonjësit e terrenit dhe uniformat blu të gradave të ulëta do të marrin një shtesë prej 20 mijë lekësh të reja në muaj.
Gradat e larta: Efektivët me grada drejtuese, deri te drejtuesi madhor, do të përfitojnë një rritje nga 10 deri në 15 mijë lekë të reja.
Kjo lëvizje vjen menjëherë pas njoftimit tjetër të bujshëm të qeverisë për dhënien e një shpërblimi prej 2,500 eurosh për efektivët e angazhuar gjatë protestave. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, e kanë mveshur këtë paketë me petkun e "vlerësimit për punën e palodhshme" të rendit. Megjithatë, për kritikët e regjimit, koha e zgjedhur për këto dhurata financiare nuk është aspak rastësore.
Kjo nuk është hera e parë që pushteti i drejtohet financave publike për të zbutur pakënaqësitë brenda radhëve të policisë ose për t'u siguruar atyre "moral" në ditët ku përballja me qytetarët bëhet më e egër. Historikisht, sa herë që niveli i protestave ka arritur kulmin dhe imazhi i Policisë së Shtetit është dëmtuar nga akuzat për dhunë, ekzekutivi ka reaguar me premtime për rritje rrogash, dieta shtesë apo shpërblime festive.
Në vend që të adresohen reformat strukturore, kushtet mizerabël të punës, mungesa e pajisjeve mbrojtëse në ditë të zakonshme apo politizimi i skajshëm i strukturave drejtuese, zgjidhja e ofruar mbetet gjithmonë e njëjta: një çek në dorë kur situata nxehet.
Për shumë vëzhgues, ky veprim reflekton një përpjekje të hapur për t'i kthyer punonjësit e policisë në një mburojë të paguar mirë në mbrojtje të pushtetit politik. Ndërsa qytetarët përballen me koston e lartë të jetesës dhe protestojnë në rrugë, policët ushqehen me premtime dhe shpërblime momentale, duke konfirmuar filozofinë e pushtetit: mbajtja e rendit nuk sigurohet përmes besimit publik, por përmes "blerjes" së qetësisë së atyre që mbajnë shkopin.






















