
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit, pas shqetësimeve të ngritura për kushtet në të cilat po mbahet.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të seancës plenare në Kuvend, Balla u ndal te situata e Veliajt, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtave të personave të paraburgosur dhe të dënuar.
Kreu i grupit socialist bëri të ditur se ka marrë ankesa edhe për ish-presidentin Ilir Meta, të cilat ua ka përcjellë ministrave përgjegjës për trajtim.
“Në lidhje me çështjen e Erion Veliajt, unë e kam thënë edhe për persona të tjerë… Kam marrë edhe ankesa edhe për ish-presidentin Ilir Meta, ia kam adresuar ministrave përkatës. Çështjet që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve dhe të burgosurve, të trajtohen në kuadër të procesit që duhet për anëtarësimin në BE”, deklaroi Balla.
Reagimi vjen pas transferimit të Veliajt në burgun e Fierit, një vendim që është kundërshtuar nga kryebashkiaku dhe përfaqësuesit e tij ligjorë.
Veliaj ka pretenduar se është vendosur në izolim dhe se i është kufizuar komunikimi me familjarët dhe avokatët, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për verifikimin e kushteve të paraburgimit.






















