
Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në paraburgimin e Fierit ka shkaktuar debate edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste, ku deputeti Bledi Çuçi ka kërkuar shpjegime nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, lidhur me procedurën e ndjekur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në një diskutim të zhvilluar pa praninë e kryeministrit Edi Rama, Çuçi ka ngritur shqetësimin se Veliaj mund të jetë transferuar pa një urdhër zyrtar, duke i kërkuar ministrit të Drejtësisë të japë shpjegime dhe madje të dorëhiqet nëse nuk disponon dokumentacionin përkatës.
Nga ana e tij, Gogu ka pranuar se nuk ka informacion zyrtar mbi transferimin, duke sqaruar se i ka kërkuar një relacion drejtoreshës së përgjithshme të Burgjeve. Megjithatë, ai ka siguruar kolegët se Veliaj ndodhet në një mjedis të sigurt dhe ka nisur të ushqehet.
Diskutimet:
Taulant Balla: A ka dikush çështje tjetër përveç seancës plenare?
Bledi Çuçi: Kam unë. Jam njohur me shqetësimet se si njëri nga ne, kryetari në detyrë i Bashkisë Tiranë, është transferuar, sipas avokatit të tij, pa një shkresë. Pa një urdhër transferimi. Dua shpjegim nga ministri i Drejtësisë. A e ke urdhrin e transferimit? Nëse nuk e disponon, jep dorëheqjen.
Taulant Balla: Ok, ok...
Toni Gogu: Jam vetë këtu, mund ta jap përgjigjen. Çuç, mund të më kishe pyetur privatisht, siç më pyet për shumë gjëra të tjera. Por, meqë po e ngre në grup, po të përgjigjem në grup. Zyrtarisht nuk kam informacion për transferimin. I kam kërkuar relacion zyrtar drejtoreshës së përgjithshme të Burgjeve. Nga ana operative, po të informoj se Erioni është mirë, në një mjedis të sigurt. Ka filluar edhe të ushqehet.
Deklarata e Gogut ngre pikëpyetje mbi raportin e Ministrisë së Drejtësisë me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ndonëse drejton ministrinë përgjegjëse për këtë institucion, Gogu pranon se nuk ka informacion zyrtar për transferimin e një prej figurave më të rëndësishme të mazhorancës dhe se është në pritje të një relacioni nga vartësit e tij.






















