
Transferimi i Erion Veliajt në burgun e Fierit ka shkaktuar një përplasje të pazakontë brenda grupit parlamentar socialist, por objektivi i kësaj përplasjeje duket se nuk është vetëm sqarimi i procedurës së transferimit. Në qendër është vendosur ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dhe pyetja që lind është nëse Edi Rama po përgatit, përmes një strategjie politike, largimin e tij.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, të thirrur nga kryeministri posaçërisht për çështjen Veliaj, Bledi Çuçi i është drejtuar Gogut me një ultimatum: “Nëse nuk ke ardhur me urdhrin e transferimit me vete, jep dorëheqjen”.
Fakti që kjo kërkesë vjen nga Çuçi, një prej njerëzve të afërt me Ramën, dhe pikërisht në mbledhjen e thirrur prej kryeministrit, ngre dyshimin se deputeti mund të mos ketë vepruar vetëm me nismën e tij. A ishte kërkesa për dorëheqje një reagim spontan apo një mesazh politik i përcjellë me porosi?
Por historia bëhet edhe më interesante kur shihet se kush e drejton administratën e burgjeve. Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve është emëruar përpara ardhjes së Gogut në Ministrinë e Drejtësisë dhe, sipas informacioneve mbi prapaskenat e emërimit, ka pasur mbështetjen e Belinda Ballukut dhe Edi Ramës. Gogu nuk ka pasur rol në përzgjedhjen e saj dhe pretendohet se ka ndikim të kufizuar mbi këtë drejtori.
Kështu, ministri rrezikon të mbajë përgjegjësinë politike për një vendim të administratës së burgjeve, drejtuesen e së cilës nuk e ka zgjedhur dhe mbi të cilën, sipas këtyre informacioneve, nuk ushtron ndikim real.
Në këtë kontekst, skenari merr pamjen e një gracke politike: Rama mbledh grupin për Veliajn, Çuçi kërkon dorëheqjen e Gogut dhe ministri gjendet përballë përgjegjësisë për një vendim që mund të mos e ketë kontrolluar. Nëse kjo është një strategji e koordinuar, atëherë transferimi i Veliajt mund të shërbejë si pretekst për një lëvizje tjetër brenda qeverisë.
Veliaj e ka kundërshtuar publikisht transferimin në Fier, duke e cilësuar politik dhe duke pretenduar se urdhri nuk i është vënë në dispozicion. Pikërisht ky dokument është kthyer tani në shkakun e përplasjes mes Çuçit dhe Gogut.
Nuk ka prova që Çuçi të ketë vepruar me porosi të Ramës apo që kryeministri të ketë vendosur largimin e ministrit. Por mënyra se si është zhvilluar mbledhja dhe pozita në të cilën është vendosur Gogu e bëjnë të pashmangshme pyetjen:
A po kërkon Rama kokën e Toni Gogut, duke përdorur transferimin e Veliajt dhe Çuçin për ta vendosur ministrin përballë një përgjegjësie që formalisht i takon, por që politikisht mund të mos e kontrollojë?






















