Politika 29 October 2026, 10:58 Nga VNA

Tensione në Parlament, opozita bllokon foltoren në mbështetje të studentëve, Peleshi i heq fjalën Berishës dhe ndërpret seancën

Ndaje në Whatsapp
Tensione në Parlament, opozita bllokon foltoren në mbështetje

Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione të forta mes mazhorancës dhe opozitës, duke sjellë bllokimin e foltores, ndërhyrjen e Gardës së Republikës dhe ndërprerjen disa herë të punimeve parlamentare. Në qendër të përplasjeve kanë qenë protestat studentore kundër qeverisë dhe deklaratat e ashpra të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj deputetëve socialistë.

Tensionet nisën që në hapje të seancës, teksa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, po lexonte rendin e ditës. Deputetët demokratë ngritën pankarta me mbishkrimin “Me studentët”, si dhe fotografi nga përplasjet e protestuesve me policinë, duke kundërshtuar mënyrën se si forcat e rendit kanë ndërhyrë gjatë protestave të ditëve të fundit.

Situata u përshkallëzua kur deputetët e opozitës nisën të godisnin tavolinat dhe u grumbulluan pranë foltores, duke penguar vijimin normal të punimeve. Për shkak të tensioneve, ndërhyri edhe Garda e Republikës, efektivët e së cilës krijuan një kordon sigurie në sallën e Parlamentit.

Përplasjet vijuan gjatë fjalës së kreut demokrat, Sali Berisha, i cili akuzoi mazhorancën socialiste për dhunën që, sipas tij, policia ka ushtruar ndaj studentëve protestues. Berisha përdori një gjuhë të ashpër ndaj deputetëve të shumicës, duke deklaruar se gazi lotsjellës dhe dëmtimet fizike të protestuesve meritoheshin nga socialistët dhe jo nga të rinjtë.

Gjatë ndërhyrjes së tij, Berisha akuzoi gjithashtu përfaqësuesit e mazhorancës se po mbrojnë pasuri të vjedhura dhe krime të rënda, ndërsa paralajmëroi se kryeministri Edi Rama mund të kishte fatin e ish-diktatorit rumun Nicolae Çaushesku. Deklaratat e tij u shoqëruan me reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i cilësoi ato si thirrje për dhunë.

Peleshi vendosi t’i ndërpresë fjalën Berishës, duke njoftuar se kreu demokrat nuk do të lejohej të fliste më gjatë seancës së sotme. Më pas, ai ndërpreu punimet parlamentare për 10 minuta, ndërsa Berisha refuzoi të largohej nga foltorja.

Pas përfundimit të pushimit, kryeparlamentari tentoi të rifillonte seancën, por deputetët demokratë nuk u kthyen në vendet e tyre. Ata vijuan të qëndronin pranë foltores, duke kërkuar që Berishës t’i jepej sërish fjala.

Pavarësisht thirrjeve të Peleshit për të liruar foltoren dhe për të vijuar punimet, opozita nuk ndryshoi qëndrim. Në këto kushte, kryetari i Kuvendit vendosi të ndërpresë sërish seancën, duke njoftuar se punimet do të rifillojnë vetëm pasi deputetët demokratë të lirojnë foltoren.

Përplasjet e sotme vijnë vetëm një javë pas incidenteve fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, të cilat u pasuan me përjashtimin për 60 ditë të gjashtë parlamentarëve demokratë.

Ndërkohë, protestat studentore, të cilat kanë në qendër kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, janë kthyer në shkakun kryesor të përplasjeve të kësaj të enjteje në Parlament. Deri në momentin e ndërprerjes së fundit, deputetët nuk kishin arritur të vijonin normalisht shqyrtimin e çështjeve të rendit të ditës.

Video

🔴NIS ME TENSIONE SEANCA PLENARE, OPOZITA BLLOKON FOLTOREN

🔴LIVE NGA KUVENDI

Vijojnë tensionet në Parlament. Opozita nuk liron foltoren, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpret seancën.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme