
Nëna dhe bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kanë mbërritur këtë të enjte në burgun e Fierit për ta takuar, një ditë pas transferimit të tij nga institucioni i paraburgimit në Durrës.
Fillimisht, në ambientet e burgut është paraqitur nëna e kryebashkiakut, Shqiponja Veliaj, ndërsa më pas ka mbërritur edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila është parë duke hyrë në institucion me foshnjën në krah.
Vizita e familjarëve vjen në një moment kur Veliaj ka kundërshtuar mënyrën e transferimit të tij në Fier, duke ngritur shqetësime për kushtet në të cilat pretendon se po mbahet.
Përmes një letre të bërë publike, kryebashkiaku ka deklaruar se është vendosur në izolim për 10 ditë, në një ambient që, sipas tij, nuk plotëson kushtet e përshtatshme. Ai ka pretenduar gjithashtu se i është kufizuar komunikimi me familjarët dhe përfaqësuesit e tij ligjorë.
Ndërkohë, është raportuar se Veliaj ka refuzuar edhe ushqimin në institucionin e paraburgimit, në shenjë kundërshtimi ndaj situatës së krijuar pas transferimit.
Për të verifikuar kushtet e mbajtjes së tij, në burgun e Fierit ka shkuar edhe Avokati i Popullit, Endri Shabani, ndërsa mbrojtja ligjore e kryebashkiakut ka ngritur pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura për transferimin.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera nga takimet e Veliajt me nënën dhe bashkëshorten e tij.






















