Editorial 29 October 2026, 20:35 Nga VNA

Rama transferon Veliajn në Fier, socialistët transferojnë fajin te Toni Gogu: Komedia e revoltës me regji nga Edi Rama

Ndaje në Whatsapp
Rama transferon Veliajn në Fier, socialistët transferojnë fajin

Nga Desada Metaj

Ka dy ditë që Shqipëria merret me transferime të burgosurish, procedura, urdhra sekretë dhe të drejta të paraburgosurish. Edi Rama ia doli mjeshtërisht ta përdorë edhe një herë Erion Veliajn për të shpërndarë mjegull dhe për të tërhequr vëmendjen. Një muaj më parë i duhej si avatar për të drejtuar Tiranën nga qelia, sot e trajton si një kriminel ordiner që mund ta transferojë nga një burg në tjetrin me një të rënë të lapsit. Në ndihmë i erdhi edhe drejtoresha e Burgjeve, që firmos urdhra pa kuptuar, me sa duket, përgjegjësinë ligjore që merr përsipër.

Por më e shëmtuar se kjo është shfaqja e shokëve të partisë së Veliajt. Fatmir Xhafaj dhe Bledi Çuçi na qenkan shqetësuar aq shumë për trajtimin e tij, sa i kanë kërkuar llogari Toni Gogut. Madje Çuçi, sipas raportimeve mediatike, e paska kërcënuar edhe me dorëheqje nëse nuk kishte urdhrin e transferimit.

Po çfarë llogarie i kërkojnë Tonit këta që e dinë shumë mirë kush i merr vendimet në atë parti? Këta që nuk hapin gojën për asgjë pa marrë më parë direktivën e Edi Ramës, që heshtin për çdo padrejtësi dhe nuk guxojnë të kundërshtojnë asnjë vendim të kryetarit, befas na qenkan prekur nga trajtimi i Veliajt? Apo Toni është thjesht alibia që Partia Socialiste të duket sikur nuk e ka braktisur Erionin, ndërsa askush nuk guxon të kërkojë llogari aty ku mendon se është dhënë urdhri?

Kjo është katandisja e një partie ku njerëzit me poste, mandate e komisione nuk guxojnë të sillen as si politikanë, por si dele të vathës së Edi Ramës, që edhe kur blegërijnë nga revolta, kujdesen të mos shqetësojnë bariun. Ndoshta Erion Veliaj i meriton të gjitha ato që Rama mund të ketë vendosur t’i bëjë, por këtë nuk e vendos kryeministri. Dhe shqiptarët nuk kanë pse të besojnë se Xhafaj e Çuçi po ngrenë zërin se u vjen keq për Veliajn. 

Boll na vjedhin. Të paktën të mos na marrin edhe për budallenj, duke na shitur bindjen si rebelim dhe teatrin politik me skenar dhe regji nga Edi Rama.

Video

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme