Politika 29 October 2026, 19:53 Nga VNA

I mbylli bastet për të shpëtuar familjet, i rikthen për të mbushur buxhetin. Edi Rama rikthen lojrat e fatit

Ndaje në Whatsapp
I mbylli bastet për të shpëtuar familjet, i rikthen për

Në vitin 2018, Edi Rama u shpalli luftë basteve sportive. Ato ishin kthyer, sipas tij, në një plagë sociale që shkatërronte familjet, varfëronte qytetarët dhe ushqente varësinë nga kumari. Me një fushatë të fortë publike, qeveria vendosi që nga 1 janari 2019 të mbylleshin pikat e basteve dhe të ndalohej aktiviteti, përfshirë atë online. Tetë vjet më vonë, bastet që dikur duheshin zhdukur për të shpëtuar familjet shqiptare janë kthyer në një burim të ardhurash për të cilin qeveria ka rezervuar një vend në buxhetin e vitit 2027.

Plot 2 miliardë lekë, ose rreth 20 milionë euro, pritet të arkëtohen nga licencimi i kompanive që do të organizojnë baste sportive në internet. Shifra është përfshirë në parashikimet e të ardhurave të buxhetit të ardhshëm, i cili në total arrin në 907.9 miliardë lekë.

Ironia është se këto 2 miliardë lekë qeveria i kishte parashikuar edhe për vitin 2026, por nuk arriti të arkëtonte asgjë nga ky zë, pasi procedurat për dhënien e licencave nuk u hapën. Tani e njëjta shumë është zhvendosur në buxhetin e vitit pasardhës, me paralajmërimin se mund të mos realizohet sërish nëse aktiviteti nuk fillon.

Historia e këtij ndryshimi qëndrimi nis në vitin 2018, kur Rama e paraqiti mbylljen e basteve si një betejë kundër një industrie që po shkatërronte ekonomikisht dhe shoqërisht familjet shqiptare. Mijëra pika bastesh mbyllën dyert dhe aktiviteti u ndalua me ligj. Por bastet nuk u zhdukën. Ato vazhduan të luheshin në mënyrë të paligjshme, kryesisht përmes internetit, ndërsa policia vijoi të raportonte goditje të organizatorëve të këtij aktiviteti.

Në vitin 2023, vetë Rama pranoi se ndalimi nuk kishte arritur ta eliminonte fenomenin dhe mbështeti rikthimin e basteve sportive online, këtë herë nën kontrollin e shtetit. Argumenti ndryshoi: në vend që paratë të qarkullonin në tregun e paligjshëm, aktiviteti duhej legalizuar, kontrolluar dhe taksuar.

Në shkurt 2024, Kuvendi miratoi ndryshimet ligjore që lejuan rikthimin e basteve sportive vetëm në internet, përmes operatorëve të licencuar. Megjithatë, ligji mbeti pa zbatim të plotë për shkak të mosçeljes së procedurave të licencimit.

Sipas kuadrit të ri ligjor, qytetarët do të duhet të regjistrohen me dokument identifikimi në faqet apo aplikacionet e kompanive të licencuara. Parashikohet gjithashtu krijimi i një regjistri elektronik për të përjashtuar nga lojërat e fatit personat që kanë probleme me varësinë.

Por ndërsa sistemi i kontrollit dhe licencimit ende nuk ka filluar të funksionojë, qeveria ka nisur të llogarisë të ardhurat që pret prej tij.

Kështu, bastet që në vitin 2018 konsideroheshin një rrezik aq i madh për familjet sa duhej të ndaloheshin plotësisht, sot trajtohen si një aktivitet ekonomik që mund të sjellë miliona euro në buxhet. Qeveria argumenton se legalizimi do të nxjerrë nga informaliteti një treg që vazhdoi të ekzistonte pavarësisht ndalimit, por mbetet e hapur pyetja se si do të kontrollohen pasojat sociale që dikur shërbyen si arsye për mbylljen e tij.

Në fund, nga lufta për t’i shpëtuar shqiptarët prej basteve, qeveria ka kaluar te llogaritja e parave që pret të marrë prej tyre. Dikur problemi ishte sa humbnin qytetarët. Tani në projektbuxhet është shkruar sa pret të fitojë shteti.

Lexo gjithashtu

Video

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme