Politika 29 October 2026, 17:58 Nga VNA

Urdhri për Veliajn “sekret shtetëror”, por ligji ngre tri pengesa. A u klasifikua transferimi pa bazë ligjore?

Ndaje në Whatsapp
Urdhri për Veliajn “sekret shtetëror”, por ligji ngre tri

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka deklaruar se urdhri për transferimin e Erion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në burgun e Fierit është “sekret shtetëror”. Por një urdhër administrativ transferimi nuk mund të klasifikohet automatikisht si i tillë, vetëm sepse lidhet me sigurinë e një institucioni penitenciar.

 Ligji nr. 10/2023 “Për informacionin e klasifikuar” përcakton kush mund të klasifikojë një dokument, për çfarë arsyesh dhe në cilat raste klasifikimi ndalohet.
Në rastin e Veliajt, klasifikimi i urdhrit përballet me tri pengesa kryesore juridike:
1. Siguria e burgut nuk është automatikisht siguri kombëtare. Ligji nr. 10/2023, i cili ka zëvendësuar ligjin nr. 8457/1999, e lidh klasifikimin e informacionit me mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Edhe niveli më i ulët i klasifikimit, “I kufizuar”, kërkon një lidhje me veprimtarinë e institucioneve në fushën e sigurisë kombëtare. Ndërkohë, transferimi i një të paraburgosuri është akt administrativ i rregulluar nga ligji nr. 81/2020 dhe lidhet me rendin dhe sigurinë e institucioneve të burgimit. Vetëm prania e informacioneve të veçanta operative ose të inteligjencës, që plotësojnë kriteret ligjore, mund të justifikojë klasifikimin e tyre.
2. Ligji ndalon përdorimin e sekretit për t'i mohuar individit të drejtën e njohjes. Ligji nr. 10/2023 ndalon klasifikimin me qëllim fshehjen e shkeljeve të ligjit, paefektshmërisë apo gabimeve të administratës, privimin e individëve nga e drejta e njohjes, si dhe pengimin e dhënies së informacionit që nuk kërkon mbrojtje në interes të sigurisë kombëtare. Nëse urdhri mbahet i fshehtë nga Veliaj dhe avokati i tij, duke u penguar njohja e arsyeve dhe kundërshtimi efektiv i transferimit, klasifikimi ngre një problem të drejtpërdrejtë me këto ndalime.
3. Drejtori i Burgjeve nuk ka automatikisht kompetencë klasifikuese. Sipas ligjit nr. 10/2023, autoritete klasifikuese të drejtpërdrejta janë Presidenti i Republikës dhe Kryeministri, ndërsa titullarët e institucioneve të tjera mund ta ushtrojnë këtë kompetencë me autorizim nga Kryeministri. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve mund të urdhërojë transferime sipas nenit 78 të ligjit nr. 81/2020, por kjo nuk i jep vetvetiu të drejtën t'i shpallë urdhrat sekret shtetëror. Për këtë kërkohet kompetencë e posaçme, ndërsa dokumenti duhet të përmbajë edhe elementet formale të klasifikimit, përfshirë nivelin dhe autoritetin përgjegjës.

Në raste të veçanta, një transferim mund të shoqërohet me informacione të klasifikuara që lidhen me terrorizmin, spiunazhin, burimet e inteligjencës, bashkëpunimin ndërkombëtar apo mbrojtjen e dëshmitarëve. Por ekzistenca e këtyre informacioneve nuk e bën automatikisht sekret të gjithë urdhrin. Analiza e rrezikut, burimet informative dhe plani operativ mund të trajtohen veçmas, duke ruajtur informacionin e nevojshëm për kontrollin e ligjshmërisë së transferimit.
Dhe në fund, e gjithë kjo histori me “sekretin shtetëror” ka edhe një anë ironike. Urdhri që pretendohet se nuk mund t'i vihet në dispozicion të paraburgosurit apo avokatit të tij, në praktikë duhet t'u komunikohet strukturave që organizojnë dhe ekzekutojnë transferimin, përfshirë togën e shoqërimit të Policisë së Burgjeve.
Pra, një dokument që sipas Drejtorisë së Burgjeve kërkon mbrojtjen e sekretit shtetëror, përfundon në zinxhirin e zakonshëm të ekzekutimit të një transferimi, ku policët duhet të dinë të paktën kë do të marrin, nga cili institucion dhe ku do ta dërgojnë. Kjo nuk do të thotë se çdo efektiv merr domosdoshmërisht kopje të urdhrit të plotë apo se njohja e informacionit nga personeli i autorizuar e cenon sekretin.

Por ironia mbetet: policët e shoqërimit mund të dinë ku po e çojnë Veliajn, ndërsa vetë Veliajt i thuhet se urdhri që vendos ku do të qëndrojë është “sekret shtetëror”.
Në këtë pikë, pyetja nuk është më vetëm kush e ka klasifikuar urdhrin, por çfarë po mbrohet realisht nga ky klasifikim: siguria kombëtare apo arsyet e një vendimi administrativ?

Lexo gjithashtu

Video

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme