Bota 29 October 2026, 19:05 Nga VNA

Italia në prag të protestave në 50 qytete, mijëra studentë në rrugë kundër masave policore, mobilizohet edhe ushtria

Ndaje në Whatsapp
Italia në prag të protestave në 50 qytete, mijëra

Italia përgatitet për një ditë protestash masive të premten, më 30 tetor, në 50 qytete të vendit, ku mijëra studentë dhe të rinj pritet të dalin në rrugë.

Manifestimet, të organizuara në kuadër të grevës së thirrur nga sindikata USB, zhvillohen në një klimë tensionesh në rritje mes protestuesve dhe autoriteteve, ndërsa kundërshtimi i masave policore dhe i asaj që organizatorët e quajnë kriminalizim i protestës është kthyer në një nga temat kryesore të mobilizimit.

Sipas gazetës italiane La Repubblica, ministri i Brendshëm Matteo Piantedosi ka mbledhur Komitetin Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë Publike për të përcaktuar masat që do të zbatohen gjatë manifestimeve. Strategjia parashikon ndërhyrje të përmbajtura ndaj protestuesve paqësorë, por edhe përdorimin e ndalimeve parandaluese për personat që policia dyshon se mund të përfshihen në veprime të dhunshme.

Legjislacioni italian parashikon mundësinë e shoqërimit dhe mbajtjes së personave në komisariat deri në 12 orë, në kushtet e përcaktuara me ligj, edhe pa pasur një vepër penale të kryer. Pikërisht përdorimi i kësaj mase ka shkaktuar kundërshtime të forta nga aktivistët dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e protestuesve.


Sipas dhjetëra denoncimeve të mbledhura nga grupe avokatësh, gjatë fundjavës së kaluar disa të rinj janë mbajtur për orë të tëra në komisariate vetëm sepse mbanin veshje të zeza, kapuçë, maska ose fletushka, të konsideruara nga policia si tregues të mundshëm të përgatitjes për veprime të dhunshme.

Këto episode kanë shtuar pakënaqësinë e studentëve, të cilët pritet t'i bashkohen protestave edhe për të kundërshtuar kufizimet që, sipas tyre, po i vendosen së drejtës për të manifestuar.
Ministri Piantedosi ka pranuar se ekzistojnë shqetësime për sigurinë, veçanërisht për shkak të mënyrës së organizimit të protestave dhe mundësisë së bashkimit të grupeve anarkiste me aktivistët e qendrave sociale.

“Alarmet ekzistojnë, sepse e keni parë këtë mënyrë shumë problematike të mobilizimit të shesheve, por nuk është diçka ndryshe nga ajo që kemi trajtuar deri tani”, deklaroi ministri, duke shprehur besimin se prefektët dhe drejtuesit e policisë do të menaxhojnë edhe situatat e paparashikueshme.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu që protestuesit të shmangin përdorimin e maskave, kapuçëve dhe aksesorëve që mund të interpretohen si përpjekje për të fshehur identitetin. Në Torino, kjo kërkesë është formalizuar edhe përmes një urdhërese.

Në Milano është konfirmuar angazhimi i parashutistëve të brigadës Folgore, ndërsa në qytete të tjera do të përdoren edhe ushtarakët e angazhuar në operacionet e sigurisë së rrugëve dhe stacioneve hekurudhore. Prania e tyre do të përqendrohet në zonat që autoritetet i konsiderojnë më të ndjeshme, në varësi të itinerareve të manifestimeve.

Paralelisht, shërbimet e inteligjencës dhe hetuesit e policisë do të monitorojnë rrjetet sociale për të identifikuar thirrje për dhunë, shkatërrime apo plaçkitje, pas përplasjeve të regjistruara dy javë më parë në Milano.

Një tjetër element që shqetëson autoritetet është mundësia që lirimi nga burgu i Youssef-it të nxisë mobilizimin e mijëra të rinjve të lidhur me Lëvizjen e 17 Tetorit.

Kështu, protestat e së premtes pritet të zhvillohen mes dy qëndrimeve të kundërta: autoriteteve, që e konsiderojnë përdorimin e masave parandaluese të nevojshëm për ruajtjen e rendit, dhe protestuesve, që kundërshtojnë mbajtjen në polici të personave mbi bazën e dyshimeve për veprime ende të pakryera.

Video

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme