Bota 29 October 2026, 18:59 Nga VNA

Rrëzohet helikopteri ushtarak italian në Bosnjë, raportohet për 3 të vdekur dhe 12 të plagosur

Ndaje në Whatsapp
Rrëzohet helikopteri ushtarak italian në Bosnjë, raportohet

Një helikopter ushtarak italian i tipit CH-47 Chinook, pjesë e misionit paqeruajtës të Bashkimit Europian EUFOR Althea, është rrëzuar pasditen e së enjtes në veri të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas autoriteteve shëndetësore lokale, aksidenti ka shkaktuar tre viktima dhe 12 të plagosur, ndërsa kombësia e personave që kanë humbur jetën nuk është bërë ende e ditur.

Aksidenti ndodhi në fshatin Gorice, pranë qytetit të Brçkos. Salih Ibrahimbegović, zëdhënës i Qendrës Shëndetësore të Brçkos, deklaroi se tre ushtarakë kanë humbur jetën dhe 12 të tjerë janë plagosur. Sipas Associated Press, një prej të plagosurve ndodhet në gjendje kritike. 

Pamjet nga vendngjarja tregojnë se helikopteri ka pësuar dëmtime të rënda, duke u ndarë në tri pjesë pas përplasjes me tokën. Sipas gazetës italiane La Repubblica, pamjet sugjerojnë se ekuipazhi mund të ketë tentuar një ulje emergjente. Në një video, helikopteri shihet duke u rrotulluar rreth vetes dhe duke humbur me shpejtësi lartësi, ndërkohë që të dy rotorët vazhdojnë të funksionojnë.

Ministria italiane e Mbrojtjes ka konfirmuar aksidentin dhe ka njoftuar se po kryhen verifikime për gjendjen e personelit. Ndërsa EUFOR ka pranuar se gjatë një operacioni rutinë në zonën e Brçkos është rrëzuar një prej mjeteve të tij ajrore. Misioni europian ka konfirmuar se ka viktima dhe të plagosur, por nuk ka dhënë ende bilancin përfundimtar. Shkaqet e aksidentit janë nën hetim. 

Helikopteri ishte pjesë e kontingjentit italian të angazhuar në misionin EUFOR Althea, i cili vepron në Bosnjë-Hercegovinë që prej vitit 2004, me detyrë mbështetjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend. Që prej janarit, Italia ka dislokuar në këtë mision helikopterë të Regjimentit të 4-t të Aviacionit të Ushtrisë “Altair”, me bazë në Bolzano, përfshirë dy helikopterë CH-47F.

Aktualisht, komanda e misionit europian drejtohet nga gjenerali italian Maurizio Fronda.

Video

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme