Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një nga personalitetet e njohura të së drejtës kushtetuese në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga Universiteti i Tiranës, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjen, kolegët dhe brezat e studentëve që u formuan nën drejtimin e tij.
I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Luan Omari kreu studimet e larta për drejtësi në Beograd dhe Sofje, duke ndërtuar më pas një karrierë të gjatë akademike dhe shkencore.
Për gati dy dekada, ai drejtoi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku dha një kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të juristëve. Përmes studimeve dhe botimeve të tij, Omari ndikoi në zhvillimin e mendimit juridik dhe të së drejtës kushtetuese shqiptare.
Akademiku Luan Omari ishte gjithashtu anëtar themelues dhe ish-zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave, si dhe përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Venecias.
Në vlerësim të kontributit të tij akademik dhe shkencor, Universiteti i Tiranës e nderoi me titujt “Profesor Emeritus” dhe “Doctor Honoris Causa”.
Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje për botën akademike dhe juridike shqiptare, ndërsa vepra dhe kontributi i tij mbeten pjesë e rëndësishme e trashëgimisë shkencore të vendit.






















