Politika 30 October 2026, 19:02 Nga VNA

Rama kërkon të kufizojë rrjetet sociale për të miturit. Po sikur kufizimet të nisnin nga politikanët?

Ndaje në Whatsapp
Rama kërkon të kufizojë rrjetet sociale për të miturit.

Në Shqipëri, ku kryeministri, kreu i opozitës dhe pothuajse e gjithë politika jetojnë në rrjetet sociale, Edi Rama ka zbuluar një rrezik të ri për fëmijët: pikërisht rrjetet sociale. Dhe ndoshta, përpara se t’u kufizojnë aksesin të miturve, politikanët shqiptarë mund ta nisnin eksperimentin nga vetja.

Dikur Rama paralajmëronte shqiptarët se do t’u dilte edhe në frigorifer. Në tetor 2018, gjatë një takimi në Laprakë, kryeministri deklaronte se qytetarët e shihnin çdo ditë në televizor dhe se së shpejti mund ta shihnin edhe në frigorifer. Sot, pas tetë vjetësh, ai paralajmëron konsultime me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve sociale deri në moshën 16 apo 18 vjeç.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama i cilësoi rrjetet sociale si burim të një vetmie të rrezikshme, që mjegullon kufijtë mes realitetit dhe botës virtuale. Ai e lidhi shqetësimin edhe me përfshirjen e të miturve në protestat e fundit, duke kërkuar neutralizimin e burimeve që, sipas tij, i ushqejnë me frymën e dhunës.

Problemi i ndikimit të rrjeteve sociale te fëmijët është serioz dhe po diskutohet në shumë vende. Por në Shqipëri ka edhe një kontrast politik. Edi Rama, Sali Berisha dhe pjesa më e madhe e klasës politike i përdorin këto platforma çdo ditë për deklarata, akuza, kundërakuza, transmetime të drejtpërdrejta dhe përplasje politike, shpesh me një gjuhë që vështirë se mund të shërbejë si model për të miturit.

Rama kërkon të neutralizojë burimet që ushqejnë dhunën në rrjetet sociale. Ndoshta konsultimi me prindërit dhe mësuesit duhet të përfshijë edhe një pyetje: çfarë shembulli u japin fëmijëve ata që nga mëngjesi në darkë prodhojnë konflikt politik në ekranet e tyre?

Sepse kryeministri që dikur premtonte të na dilte edhe nga frigoriferi, sot kërkon të na mbrojë nga ekrani. Dhe ky do të ishte një rast i mirë që Rama, Berisha dhe gjithë politika shqiptare ta provonin kufizimin e rrjeteve sociale fillimisht te vetja.

Video

Teksa Gentian Gjyli ish-kreu i ARRSH del nga SPAK një qytetar i drejtohet me fjalët: S'ju vjen turp që keni vjedhur lekët e popullit!

🔴LAJM I FUNDIT/ Flakadanët u kushtojnë dy muaj jashtë Kuvendit pesë demokratëve, Berisha përjashtohet për 10 ditë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme