Ka përfunduar takimi mes presidentit Bajram Begaj dhe kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Gjatë konsultimeve, Balla i ka komunikuar kreut të shtetit se “PS është e gatshme për çdo datë, përveç 2 majit”. Kërkesa e socialistëve për të shmangur këtë datë lidhet me përkimin e saj me Pashkët Ortodokse.
Në orën 11:00, në Presidencë priten përfaqësuesit e Partisë Socialdemokrate, të drejtuar nga Tom Doshi, ndërsa partitë parlamentare të opozitës kanë refuzuar pjesëmarrjen në konsultime.
Pak ditë më parë, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e cilësoi ftesën e presidentit si një “teatër politik”, duke theksuar se kreu i shtetit duhet të angazhohet për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Edhe Partia e Lirisë ka refuzuar ftesën, me Tedi Blushin që e argumentoi vendimin me protestat e studentëve dhe kërkesat e tyre ende pa zgjidhje.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen në një ditë të diel, brenda periudhës 15 prill–15 maj 2027. Afati i fundit që presidenti Begaj të shpallë datën e tyre është 6 nëntori.






















