Bota 30 October 2026, 10:01 Nga VNA

“Houdini” i Izraelit, si arrin Netanyahu të mbijetojë politikisht

Ndaje në Whatsapp
“Houdini” i Izraelit, si arrin Netanyahu të mbijetojë

Benjamin Netanyahu ruan shanset për një mandat tjetër, edhe pas dështimeve të 7 tetorit dhe krizave që kanë shoqëruar qeverisjen e tij.

Ishte ora tre e mëngjesit, në ditën që mund të shënonte fundin e karrierës së tij politike, kur Benjamin Netanyahu doli përpara mbështetësve me tone luftarake.

Ai u mburr me vrasjen e ajatollahut iranian Ali Khamenei, miqësinë me presidentin amerikan Donald Trump dhe pushtimin nga Izraeli të territoreve në Liban, Siri e Gazë. Më pas, sulmet i drejtoi ndaj kundërshtarit të tij të parapëlqyer: medias.

“A ju kujtohet se si kanalet e propagandës krijuan perceptimin se Likud do të merrte 18–19 mandate? Ata e dinin gjatë gjithë kohës se ishte gënjeshtër”, tha Netanyahu, ndërsa këndonte bashkë me të pranishmit një këngë fetare.

Me pjesën më të madhe të votave të numëruara, Likud pritet të sigurojë rreth 26 mandate dhe të dalë partia më e madhe në parlament. Megjithatë, koalicioni i tij i së djathtës ekstreme nuk pritet të arrijë shumicën prej 61 vendesh, të nevojshme për të formuar qeverinë. Të njëjtin problem kanë edhe kundërshtarët e tij.

Ky rezultat hap rrugën për negociata të zgjatura për krijimin e koalicionit. Gjatë kësaj periudhe, Netanyahu do të mbetet kryeministër dhe do të mund të përdorë aftësitë e tij të njohura për marrëveshje e manovra politike në prapaskenë.

Pas 19 vitesh në pushtet, përgjatë gjashtë mandateve si kryeministër, një pjesë e madhe e izraelitëve dhe e opinionit ndërkombëtar vazhdon të shtrojë pyetjen: si arrin Netanyahu të qëndrojë ende në këmbë?

Sipas Aviv Bushinskyt, i cili ka shërbyer si zëdhënës dhe shef i stafit të tij në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, përgjigjja lidhet me aftësinë e Netanyahut për të ndërtuar një rrëfim bindës.

“Talenti i tij themelor është se di të tregojë histori. Dhe historia që ai tregoi e zhvendosi të gjithë debatin nga e kaluara drejt së ardhmes”, shprehet Bushinsky për Financial Times.

Në rrëfimin e Netanyahut, dështimet që shoqëruan sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023, kur ai ishte në krye të qeverisë, janë përfshirë brenda asaj që e quan “Lufta e Shëlbimit”. Me këtë emërtim ai u referohet luftërave që Izraeli zhvilloi më pas në Gazë, Liban, Iran dhe në fronte të tjera.

Mesazhi që përcjell te zgjedhësit, sipas Bushinskyt, është se rivalët e tij janë tepër të butë, pa përvojën, përgatitjen apo guximin e nevojshëm për të drejtuar vendin.

Mbijetesa e deritanishme e Netanyahut, pas një prej zgjedhjeve më përçarëse në historinë e Izraelit, vjen përballë pengesave që pak politikanë të tjerë do të mund t’i kapërcenin.

Lista e dështimeve që opozita ia kujton çdo ditë është e gjatë. Sulmi i 7 tetorit, me 1.200 të vrarë në Izrael, ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj hebrenjve që nga Holokausti. Kriza e pengjeve që pasoi tronditi vendin dhe nxori qindra mijëra njerëz në rrugë për të kërkuar armëpushim.

Luftërat e mëvonshme kanë ndërprerë herë pas here procesin e tij të gjatë gjyqësor për korrupsion, por nuk e kanë ndalur atë. Ndërkohë, fushata shkatërruese izraelite në Gazë, ku sipas shifrave të cituara nga Financial Times janë vrarë të paktën 73 mijë palestinezë, e ka thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit.

Ndaj vetë Netanyahut është lëshuar një urdhërarrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte, çka ia kufizon udhëtimet jashtë vendit. Izraeli, ndërkaq, përballet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me akuzën për gjenocid. Netanyahu dhe shteti izraelit i mohojnë akuzat, të cilat ai i ka cilësuar antisemite.

Edhe brenda Izraelit, pjesë të shoqërisë e kundërshtojnë ashpër, duke e konsideruar të korruptuar dhe kërcënim për demokracinë.

Megjithatë, ai mbetet pranë mundësisë për një mandat tjetër, edhe pse rivalët bashkuan një grup të pazakontë drejtuesish opozitarë: një ish-drejtues ushtarak me përvojë, por të ri në politikë, përkrah figurave veterane të skenës së përçarë politike izraelite.

“Duke pasur parasysh pozicionin në të cilin ndodhej në prag të zgjedhjeve, ky është një rezultat i mirë për të”, thotë Roni Rimon, i cili drejtoi fushatën e Netanyahut në vitin 2009.

Netanyahu nuk i ka fituar zgjedhjet, por as kundërshtarët e tij nuk kanë arritur ta bëjnë këtë. Për të formuar qeverinë, partitë hebraike të opozitës do të duhej të bashkëpunonin me partitë arabe, mandatet e të cilave mund të përcaktojnë krijimin ose bllokimin e një shumice.

Por një bashkëpunim i tillë përballet me pengesat politike që ka ushqyer edhe vetë Netanyahu, duke e paraqitur pakicën palestineze të Izraelit si tradhtare ndaj shtetit hebre.

Rikthimet janë pjesë e identitetit të tij politik. Gjatë katër dekadave në jetën publike, Netanyahu e ka përshtatur vazhdimisht figurën e vet me rrethanat: herë pajtues e herë luftarak, herë udhëheqës triumfues e herë politikan që lufton kundër të gjithëve.

“Ai bëhet ai që i duhet të jetë, kurdo që i duhet, në çdo orë të ditës. Dhe është aq bindës, sa bind edhe veten”, thotë një person që e ka shoqëruar gjatë fushatës.

Në këtë rrëfim politik, Netanyahu përfshin edhe historinë personale. Si ushtar i ri u plagos me armë në një mision, në një tjetër për pak humbi jetën nga të ftohtët, ndërsa vëllai i tij u vra gjatë një operacioni për shpëtimin e pengjeve. Këto ngjarje ai i ka kthyer në një histori guximi dhe sakrifice.

Kur ishte ende një politikan i ri, bashkëshortja e kryeministrit të atëhershëm Yitzhak Rabin, si edhe të tjerë, e akuzuan se kishte nxitur klimën politike që çoi në vrasjen e Rabinit, i cili po zbatonte Marrëveshjet e Oslos. Netanyahu nuk u tërhoq. Sipas analizës së Financial Times, atëherë, ashtu si edhe sot, ai nuk pranoi faj apo përgjegjësi. Më pas mundi pasuesin e Rabinit, Shimon Peres, duke fituar për herë të parë postin e kryeministrit.

Fitorja e vitit 1996 tregoi aftësinë e tij për t’i përmbledhur çështjet e ndërlikuara në slogane të thjeshta dhe të fuqishme. “Peres do ta ndajë Jerusalemin” ishte mesazhi që e ndihmoi të siguronte një fitore të ngushtë, në një kohë kur SHBA-ja po i kërkonte Izraelit lëshime ndaj kërkesave palestineze për shtetësi.

Në zgjedhjet e vitit 2019, slogani “Bibi ose Tibi” e paraqiste atë si zgjedhjen e sigurt, ndërsa e kthente politikanin palestinez Ahmad Tibi në figurë kërcënuese për elektoratin e tij. Në këto zgjedhje, mesazhi ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Yamin o Falestin” — “E djathta ose Palestina”.

“Sekreti i përcjelljes së mesazhit të tij është që ta thjeshtojë sa më shumë të jetë e mundur”, shpjegon Bushinsky.

Netanyahu ka dominuar politikën izraelite që nga viti 2009, kur u rikthye për herë të dytë si kryeministër, me vetëm një ndërprerje të shkurtër gjatë periudhës së trazuar të zgjedhjeve të përsëritura pa shumicë të qartë.

Jetëgjatësia e tij politike, mes krizave pothuajse të pandërprera, i ka dhënë disa nofka. Gazetat izraelite e kanë quajtur “magjistar”, ndërsa të tjerë e krahasojnë me Houdinin, artistin e famshëm hebre të arratisjeve të pamundura.

Financial Times e mbyll analizën me krahasimin mes dy figurave: Houdini mori goditje në bark nga një i ri, në një çast kur nuk ishte i përgatitur, dhe vdiq më pas.

“Por Netanyahun nuk do ta kapni kurrë të papërgatitur”, thotë Bushinsky./ Financial Times

Video

Vendoret 2027, Balla dhe Klosi te Begaj për datën e zgjedhjeve, opozita refuzon konsultimet

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme