
Zgjedhjet e ardhshme për organet e qeverisjes vendore do të zhvillohen më 9 maj 2027. Presidenti i Republikës ka dekretuar sot zyrtarisht datën e procesit zgjedhor, pas përfundimit të konsultimeve me faktorin politik dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Data e caktuar është e diela e fundit brenda dritares ligjore të parashikuar nga Kodi Zgjedhor për periudhën e pranverës (15 prill – 15 maj).
Në tryezën e konsultimeve të thirrur nga kreu i shtetit morën pjesë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate, si dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ndërkohë, forcat e tjera politike opozitare zgjodhën të mos bëheshin pjesë e procesit të konsultimit.
Zgjedhja e 9 majit erdhi si propozim i vetë Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me arsyetimin se kjo datë i jep më shumë kohë KQZ-së për marrjen e masave zbatuese dhe përgatitjen logjistike të procesit. Propozimi u mbështet gjithashtu edhe nga Partia Socialdemokrate.
Në njoftimin zyrtar, Presidenca nëvizoi se data 9 maj 2027 nuk favorizon asnjë palë politike dhe nuk ndikon në vullnetin e lirë të votuesve.
Përmes këtij dekreti, Presidenti i bëri thirrje të gjitha subjekteve politike të marrin pjesë në zgjedhje me platforma e kandidatë dinjitozë, të garantojnë një garë të drejtë e me barazi armësh, si dhe të bashkëpunojnë ngushtë me KQZ-në për zhvillimin e një procesi zgjedhor sipas standardeve më të larta demokratike.























