Nga Desada Metaj
Protesta qytetare që prej javësh kërkon largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës tashmë ka një problem të madh. Dyshja e mirënjohur e politikës shqiptare po i del pronare edhe protestës kundër tyre. Kryeministri ka zbuluar se pas saj qëndron Erion Veliaj, ndërsa Berisha këmbëngul se organizator është Partia Demokratike. Dy versione që kundërshtojnë njëri-tjetrin, por që çuditërisht i shërbejnë të njëjtit qëllim: t’i heqin protestës karakterin qytetar dhe ta kthejnë në një hesap mes politikanësh.
Jo më larg se sot,Edi Rama u ka deklaruar ministrave dhe drejtuesve politikë socialistë se disponon informacione të verifikuara që Erion Veliaj ka financuar grupe protestuesish për ta rrëzuar nga pushteti. Ndoshta është e vërtetë. Por në këtë rast Veliaj do të kishte luajtur sërish rolin e pionerit politik, duke financuar një protestë që në thelb është edhe kundër tij dhe modelit që ai përfaqëson. Mbetet fakt që protestuesit nuk kanë kursyer as godinën e Bashkisë së Tiranës, as vetë Veliajn, ndërsa thirrjet për burgosjen e tij kanë qenë pjesë e revoltës. Do të ishte një investim mjaft origjinal: të paguash njerëz që të kërkojnë të të fusin në burg.
Në anën tjetër është Sali Berisha, i cili pasi sulmoi publikisht protestën dhe Lëvizjen Bashkë të Arlind Qorit, ka marrë përsipër edhe meritën e organizimit të saj,ndërsa thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” kanë qenë pjesë e refrenit të protestës. Edhe këtu kemi një tjetër paradoks: Berisha kërkon autorësinë e një proteste ku kërkohet edhe largimi i tij.
Personalisht, nuk kam asnjë simpati për Arlind Qorin, partinë apo ideologjinë e tij. Por kjo nuk më pengon të pranoj se ata kanë qenë aty, pjesë e protestës, ashtu siç kanë qenë edhe demokratë e qytetarë me bindje të tjera. Askush prej tyre nuk ka pasur monopolin mbi revoltën dhe askush nuk mund ta shpallë atë pronë të vetën.
Edi Rama kërkon ta paraqesë protestën si komplot të një ish-bashkëpunëtori,Sali Berisha kërkon ta paraqesë si produkt të opozitës. Në të dyja rastet, synimi është t’i hiqet protestës pikërisht ajo që e bën të rëndësishme: fakti se qytetarë me bindje të ndryshme kanë dalë në rrugë pa marrë leje nga askush.
Diabolizmi politik i të dyve fshihet pas një pyetje të thjeshtë: kush është ai/ajo qytetar, që kërkon largimin e Ramës dhe Berishës, që do të motivohej të dilte në një protestë që, sipas kryeministrit, financohet nga Erion Veliaj dhe, sipas kreut të PD-së, organizohet nga partia e tij dhe Flamur Noka?
Dhe nuk është pa domethënie që Rama dhe Berisha dolën njëri pas tjetrit me këto pretendime. Pa qenë nevoja të bien dakord, të dy prodhuan të njëjtin efekt politik: e zhvendosën vëmendjen nga arsyet e protestës te debati se kush e financon dhe kush e organizon.
Në fakt, dy kundërshtarët e përjetshëm treguan edhe një herë se sa lehtë gjenden në sinkron kur rrezikohen karriget dhe monopolet e tyre. Rama mbron pushtetin, Berisha monopolin e opozitës. Njëri nxjerr nga burgu Veliajn si organizator të një komploti, tjetri nxjerr nga selia e PD-së faturën e pronësisë mbi protestën. Dhe për këtë janë të gatshëm të përdorin këdo, bashkëpunëtorë apo ish-bashkëpunëtorë. Veliaj në këtë rast është thjesht i përdoruri i radhës i Ramës si demotivues për ata që duan të protestojnë.
Rama dhe Berisha mund të vazhdojnë të zihen se kujt i përket protesta. Por ka një problem që nuk e zgjidhin dot as me komplotin e Veliajt, as me pronësinë e protestës: njerëzit kanë dalë në rrugë edhe kundër tyre. Njëri kërkon ta fusë protestën në burgun e Fierit, tjetri ta mbyllë në selinë e PD-së. Të dyve u duhet një protestë me pronar, sepse një protestë që nuk u bindet është shumë më e rrezikshme se një protestë që mund ta kontrollojnë.






















