
Partia Demokratike ka nisur këtë të shtunë protestën kombëtare në mbështetje të studentëve, të cilët prej disa javësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Deputetë dhe mbështetës të opozitës janë nisur nga selia e PD-së drejt Kryeministrisë, ndërsa kryetari i demokratëve, Sali Berisha, mungon sërish në tubim.
Protesta e opozitës zhvillohet në një kohë kur lëvizja studentore ka hyrë në javën e tretë, me të rinjtë që vijojnë të kundërshtojnë qeverinë dhe të kërkojnë largimin e kreut të saj.
Ndërkohë, studentët kanë paralajmëruar një tjetër grumbullim pranë Ministrisë së Arsimit, ku pritet të vijojnë protestën e tyre.
Partia Demokratike ka deklaruar se tubimi i kësaj të shtune organizohet në mbështetje të studentëve dhe kërkesave të tyre. Më herët, Berisha kishte bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë, duke akuzuar qeverinë dhe Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj demonstruesve.
Tubimi i opozitës është përqendruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ndërsa mbetet për t'u parë nëse protestuesit do të vijojnë marshimin drejt institucioneve të tjera.






















