
Pse të harxhohet energji me infrastrukturën, ujësjellësit apo mbrojtjen, kur viza e betejës së vërtetë politike mund të vendoset e gjitha te Komisioni i Ekonomisë?
Në mëngjesin e sotëm, Kryesia e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u mblodh për të hartuar "strategjinë e madhe" për projektbuxhetin e vitit 2027 — një paketë prej 976 miliardë lekësh (rreth 10.7 miliardë euro). Por pas konsultimeve të thella, opozita vendosi të mos e shpenzojë kot fuqinë e saj me shqyrtimin e detajuar sektor pas sektori: në stacionet e tjera parlamentare do të dërgohet vetëm sa për sy e faqje nga një përfaqësues i vetëm, ndërsa "artileria e rëndë" e deputetëve do të zbarkojë me trup të plotë vetëm te Komisioni i Ekonomisë, i drejtuar nga Erion Braçe, në mungesë të Milva Ekonomit për arsye shëndetësore
Ndërkohë që në Komisionin e Burimeve Natyrore opozita preferoi mungesën e plotë, zëvendësministri i Financave, Andi Mehmeti, vijoi i qetë prezantimin e shifrave miliardëshe:
Bujqësia (17.9 miliardë lekë): Me një rritje prej 1.1 miliardë lekësh krahasuar me vjet, ku 5.3 miliardë shkojnë për fermerët dhe 3 miliardë për kompensimin e TVSH-së në masën 10%.
Infrastruktura (75.4 miliardë lekë): Paratë që do të derdhen për ujësjellësit, portin e ri në Porto Romano, Triportin, zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugën Tiranë-Ndroq-Plepa.
Mbrojtja (76.7 miliardë lekë): Çeçi i caktuar për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe zotimet ndaj NATO-s.
Bonusi i bebeve: Skema e re që nga 1 korriku 2027 parashikon mbështetje me pagesa mujore për familjet deri sa fëmija të mbushë 5 vjeç.
Por për opozitën, tabela e investimeve, autostradat apo fondet e bujqësisë duket se janë thjesht detaje pa rëndësi përpara kauzës kryesore. Burime nga mbledhja e mëngjesit bëjnë me dije se te Komisioni i Ekonomisë deputetët e PD-së nuk do të shkojnë për të zbërthyer numrat e projektbuxhetit, por për të mbajtur fjalime me temë "Protesta, nën këndvështrimin e buxhetit".
Me pak fjalë: më pak punë me shifrat, më shumë zhurmë para kamerave. Pasi argumentet teknike kërkojnë lexim, ndërsa zhurma parlamentare te komisioni i Braçes kërkon vetëm prani!






















