Protesta e studentëve kundër qeverisë hyn sot në ditën e 21-të, ndërsa kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog. Kreu i qeverisë ka vendosur sërish fletushka me mbishkrimin “Dialog” mbi tryezën e gurit përpara Kryeministrisë.
Studentët vijojnë ta refuzojnë ftesën, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre politike për largimin e Ramës dhe të qeverisë. Me thirrjet “Dorëheqje!”, protestuesit kanë përsëritur qëndrimin se nuk pranojnë të ulen në bisedime me kryeministrin.
Edhe në ditët e mëparshme, Rama ka përdorur të njëjtën hapësirë për të shprehur gatishmërinë për dialog. Fillimisht, përpara Kryeministrisë u vendosën karrige, ftesë që u refuzua nga studentët dhe pedagogët, ndërsa më pas u vendosën gurë dhe tryeza e gurtë.
Deri tani, këto ftesa nuk kanë sjellë nisjen e bisedimeve, ndërsa studentët vijojnë protestën dhe kërkesën për dorëheqjen e kreut të qeverisë.






















