Një protestë e madhe mbarëkombëtarë është lajmëruar në datën 28 nëntor nga protestuesit këtë pasdite. Lajmërimi është bërë gjatë një debati me policinë e cila po tentonte të bllokonte protestuesit në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Protestuesit janë rikthyer sërish para kryeministrisë për të vijuar qëndresën e tyre me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.
Rikthimi ka ardhur disa momentesh tensioni, kur policia ndërhyri në momentin që u rrëzuar droni i uniformave blu. Forcat e FNSH në atë moment ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës, ujë për të shpërndarë protestuesit të cilët u shpërndanë në disa zona të Tiranës.
Një pjesë shkuan në rrugën Myslym Shyr ku pati dhe përplasje me uniformat blu, një pjesë e të cilëve dolën nga rruga e drejtorisë së Tiranës duke sjellë reagim nga protestuesit duke hedhur dhe Molotov në drejtim të uniformave blu. Ndërsa një pjesë tjetër e protestuesve u shpërnda në drejtim të rrugës së Elbasanit dhe Parlamentit të Shqipërisë.
Por pas disa minutash të shpërndarë, një pjesë e protestuesve janë mbledhur tek kryeministria, por janë hasur me prezencën e policisë e cila po tenton të ndalojë avancimin e tyre në bulevardin Dëshmorët e Kombit.






















