Politika 31 October 2026, 16:22 Nga VNA

Protesta e 19-të nis në dy fronte, studentët përplasen me policinë dhe refuzojnë deputetët e PD-së. Molotovë dhe ujë para Ministrisë së Arsimit

Ndaje në Whatsapp
Protesta e 19-të nis në dy fronte, studentët përplasen me

Protesta e 19-të në Tiranë ka nisur e ndarë në dy fronte, me studentët që janë grumbulluar përpara Ministrisë së Arsimit dhe mbështetësit e Partisë Demokratike që kanë marshuar drejt Kryeministrisë. Ajo që nisi si dy tubime të veçanta, u shoqërua më pas me tensione mes protestuesve, përplasje me policinë, hedhje gurësh dhe molotovësh.

Në krye të marshimit të organizuar nga PD ishin deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati dhe përfaqësues të tjerë të opozitës. Megjithëse një ditë më parë kishte ftuar demokratët dhe qytetarët nga i gjithë vendi t’i bashkoheshin protestës së së shtunës në mbështetje të studentëve, kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk mori pjesë në marshim.

Pas rreth 30 minutash qëndrimi përpara Kryeministrisë, deputetët demokratë dhe mbështetësit e tyre u drejtuan për nga Ministria e Arsimit, ku studentët kishin nisur protestën.

Por mbërritja e tyre në hyrje të Rrugës së Durrësit nuk u prit me mirëseardhje. Nga grupimi i studentëve u dëgjuan thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, ndërsa një protestues u kërkoi drejtpërdrejt deputetëve të opozitës të largoheshin. Nga ana tjetër, mbështetësit demokratë iu përgjigjën me thirrjet “Poshtë komunizmi”. Përplasja verbale nxori në pah ndarjen mes dy grupimeve, të cilat vijuan të qëndronin në të njëjtën zonë.

Situata u tensionua më tej përpara Ministrisë së Arsimit, ku një pjesë e protestuesve nisën të hiqnin pllaka guri nga trotuaret dhe t’i hidhnin drejt forcave të policisë. Për rreth një orë, Policia e Shtetit u bëri thirrje të përsëritura protestuesve që të ndalonin sulmet ndaj efektivëve.

Përmes megafonëve, policia deklaroi se personat që po hidhnin sende të forta ishin të maskuar dhe se ishin identifikuar. Ata u paralajmëruan për pasojat ligjore, ndërsa pjesës tjetër të protestuesve iu kërkua të distancohej nga veprimet e dhunshme.

Pavarësisht paralajmërimeve, hedhja e gurëve vijoi. Në zonën pranë ministrisë u krijua edhe një re tymi, e cila fillimisht u raportua si pasojë e përdorimit të flakadanëve, por më pas u sqarua se vinte nga zjarri i fikur në kazanët e mbeturinave. Protestuesit ndërkohë vijonin thirrjet “Ju erdhi fundi”.

Policia kujtoi gjithashtu hyrjen në fuqi të aktit normativ të qeverisë për protestat, duke paralajmëruar për ndalimin e mbajtjes së maskave dhe të sulmeve ndaj efektivëve. Gjatë fazës së parë të tensioneve, forcat e rendit nuk ndërhynë fizikisht ndaj protestuesve, por përdorën autobotin me ujë si masë parandaluese.

Përplasjet u ashpërsuan rreth orës 15:20, kur drejt forcave të policisë nisën të hidheshin njëra pas tjetrës shishe me lëndë djegëse, molotovë. Policia u përgjigj duke përdorur ujë për të zmbrapsur protestuesit dhe për të neutralizuar rrezikun nga flakët.

Video

🔴 Po ndodh Të rinjtë qëllojnë me gurë drejt policisë, këta të fundit përgjigjen me ujë me presion.

🔴PO NDODH TANI

Protestuesit zhvendosen nga Ministria Arsimit drejt Kryeministrisë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme