Opinion 1 November 2026, 16:55 Nga VNA

“1984”: Kur Oruelli zbret në skenën shqiptare

Ndaje në Whatsapp
“1984”: Kur Oruelli zbret në skenën shqiptare

Nga Trëndelina Gashi

Nëse utopia është e pamundur me probabilitet 1, për shqiptarët distopia oruelliane nuk duket kaq e pamundur. Romani “1984” i Xhorxh Oruell (George Orwell) është ndër ato vepra letrare që nuk u ikën koha. Herë qëndron si paralajmërin se çfarë mund të pësojë shoqëria dhe prandaj duhet qëndresë e përditshme për ta larguar sa më tej distopinë. E herë të tjera, të vjen shumë e prekshme, sepse shoqëritë vazhdojnë t´i prodhojnë realitetet të cilat paralajmërohen në “1984”.

Këto ditë “1984” është shfaqur në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, duke sjellë me vete një pyetje që shkon përtej shfaqjes artistike: sa larg mund të shkojë pushteti në kontrollin e individit dhe sa e gatshme është shoqëria të mbrojë lirinë e saj?

Oruell na ndërtoi një botë distopike ku pushteti nuk mjaftohet vetëm me kontrollin e veprimeve të qytetarëve. Pushteti kërkon të kontrollojë mendimet, kujtesën, gjuhën, ndjenjat dhe, mbi të gjitha, të vërtetën. Vëzhgimi e patronazhimi i vazhdueshëm, propaganda, manipulimi i informacionit dhe frika janë mekanizmat që përdoren për të nënshtruar individin. “Big Brother” nuk është thjesht një figurë kërcënuese. Është simboli i sistemit që vëzhgon gjithçka dhe di gjithçka, nga veprimi fizik te fijet e mendimit. Është simboli i sistemit që kërkon edhe të përcaktojë gjithçka dhe të mos lejojë asnjë hapësirë të pavarur apo intime mendimi.

Kjo vepër e mesazhi i saj marrin një dimension të veçantë këto ditë kur rrugët e Tiranës janë kthyer në hapësira proteste. Është e vështirë të ndjekësh shfaqjen dhe të mos shohësh lidhjen simbolike mes skenës dhe rrugëve ku qytetarët kërkojnë të dëgjohen. “1984”, e sjellë në skenë nga Ema Andrea dhe kolegët e saj Rafael Hoxhaj, Eva Gjika, Jozef Shiroka, Adriana Tolka dhe Nikolin Ferketa, na fton të vëzhgojmë me kujdes marrëdhënien mes pushtetit, institucioneve, medias dhe qytetarit; mes mendimit e shprehjes individuale e të pavarur dhe propagandës së pushtetit.

Kur e vërteta bëhet objekt interpretimi politik, kur propaganda imponohet dhe kërkon të zëvendësojë debatin dhe kur qytetari ndihet i pafuqishëm përballë vendimmarrjes, ka lindur kriza e besimit dhe fillon dhuna. Rebelimi i individit e më gjerë edhe i shoqërisë nis pikërisht aty ku njeriu refuzon të pranojë se e vërteta mund të përcaktohet nga dikush tjetër, apo se e vërteta është realiteti virtual që i imponohet me propagandë.

Vënia në skenë e veprës “1984”, me regji të Dino Mustafić dhe dramatizim të Jeton Nezirajt, në këtë moment është më shumë se një ngjarje artistike. Shfaqja jep mesazhin se liria nuk humbet gjithmonë me një akt të madh dhune. Ndonjëherë ajo gërryhet ngadalë, përmes indiferencës, frikës, autocensurës dhe bindjes se zëri i individit nuk ka më rëndësi.

Oruell na kujton se një shoqëri nuk duhet të presë të mbërrijë në vitin 1984 për të kuptuar rrezikun e humbjes së lirisë. Ajo duhet të reagojë sa herë që e vërteta vihet në pikëpyetje, kur pushteti nuk pranon kontroll dhe kur qytetari humbet besimin se mund të ndikojë në të ardhmen e tij. Në Tiranën e sotme, pyetja e Oruellit mbetet e njëjtë: A kemi ende guximin të mendojmë lirshëm, të themi të vërtetën dhe të mos pajtohemi me atë që na imponohet?

Në dyorëshin Oruellian kufiri mes lojës aktoriale dhe protestës individuale ishin shkrirë mrekullisht. Spektatorët nuk e dalluan dot nëse loja aktoriale ishte e mrekullueshme në përpirje, apo ashtu thjesht, pa shumë mundim aktorët shfaqën vetveten dhe realitetin e tyre në përvijimin e personazheve, që nuk u bëheshin abstraktë.

E ndërsa një pjesë e qytetarëve protestonte në rrugë, ata të tjerët që u ulën në sallën e teatrit në ditët e vënies në skenë të “1984” duket se po ashtu ishin zgjatim i protestës, sepse kanë mbushur plot për ditë sallën që po na kujton se rreziku më i madh për lirinë nuk është vetëm kur dikush përpiqet të na e marrë atë, por edhe kur ne mësohemi të jetojmë pa të.

Video

Një muze në Bremen të Gjermanisë ka hapur një ekspozitë të pazakontë kushtuar qenve të racës dachshund, të njohur për trupin e gjatë dhe këmbët e shkurtra. Ekspozita The Dachshund: An Icon off the Leash përfshin piktura, fotografi, skulptura dhe objekte të frymëzuara nga kjo racë, mes tyre edhe punime të artistëve të njohur si Picasso, Andy Warhol dhe David Hockney. Por risia më e madhe është se vizitorët mund të marrin me vete edhe qentë e tyre të vegjël. Muzeu ka përcaktuar orare të posaçme dhe hapësira ku kafshët mund të lëvizin e të eksplorojnë.

Një muze në Bremen të Gjermanisë ka hapur një ekspozitë të pazakontë kushtuar qenve të racës dachshund, të njohur për trupin e gjatë dhe këmbët e shkurtra. Ekspozita The Dachshund: An Icon off the Leash përfshin piktura, fotografi, skulptura dhe objekte të frymëzuara nga kjo racë, mes tyre edhe punime të artistëve të njohur si Picasso, Andy Warhol dhe David Hockney. Por risia më e madhe është se vizitorët mund të marrin me vete edhe qentë e tyre të vegjël. Muzeu ka përcaktuar orare të posaçme dhe hapësira ku kafshët mund të lëvizin e të eksplorojnë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme