Në dhjetor 1990, studentët shqiptarë kërkonin një Shqipëri si gjithë Europa. Tridhjetë e gjashtë vjet më vonë, paradoksi mbetet: gjeografinë e kemi europiane, por standardi i qeverisjes vazhdon të jetë një pikëpyetje e madhe.
Europa, dikur simbol i daljes nga izolimi, është bërë premtimi qendror i politikës shqiptare dhe matësi i shpallur i suksesit të qeverisjes. Por demokracia nuk ndërtohet vetëm duke negociuar anëtarësimin. Ajo kërkon institucione që kufizojnë pushtetin, drejtësi që nuk njeh të paprekshëm dhe një shtet që u shërben qytetarëve përpara se t'u kërkojë durim.
Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt e negociatave europiane, ndërsa përmbushja e standardeve të grupkapitullit Fundamentals mbetet prova vendimtare. Edi Rama e ka lidhur mandatin e katërt me synimin e anëtarësimit deri në vitin 2030. Ambicia është legjitime; problemi është përdorimi i premtimit të së ardhmes për të mbuluar dështimet e së tashmes. Përparimi në Bruksel nuk është certifikatë për mënyrën si qeveriset Tirana.
Europianizimi ka një provë më të prekshme se kapitujt e negociatave: jetën e përditshme. Në fast-food-et e Tiranës, edhe një sufllaqe kushton deri në 10 euro, ndërsa pagat dhe fuqia blerëse mbeten larg standardeve europiane. Nafta, energjia elektrike, uji, rrugët me pagesë, taksat dhe tarifat rëndojnë mbi buxhetin familjar, ndërsa shëndetësia dhe arsimi cilësor kërkojnë shpesh shpenzime shtesë nga xhepi. Qytetari paguan gjithnjë e më shumë, pa marrë domosdoshmërisht më shumë në këmbim. Shqipëria po i afrohet Europës në çmime, por jo me të njëjtin ritëm në paga, shërbime dhe mirëqenie. Për familjet që nuk sigurojnë dot një jetë dinjitoze, premtimi europian mbetet një arritje në letër.
Pas shtrenjtimit të jetesës qëndron një problem më i thellë. Në ekonominë ramiste është konsoliduar një model ekstraktiv, ku burimet publike, prona, territori dhe mundësitë ekonomike përqendrohen në duart e një pakice të privilegjuar, ndërsa kostot shpërndahen mbi shumicën. Përmes lejeve, koncesioneve dhe vendimeve administrative, shteti përcakton se kush përfiton nga zhvillimi dhe kush paguan çmimin e tij. Rritja ekonomike bashkëjeton me varfërinë, investimet luksoze me mungesën e shërbimeve themelore dhe pasurimi i një pakice me pasigurinë e shumë familjeve.
Korrupsioni nuk është vetëm një tender i dyshimtë apo një dosje në SPAK. Është edhe përvoja e qytetarit kur një dokument, leje, vend pune apo shërbim publik varet nga njohjet dhe favoret. Kur njeriu detyrohet të negociojë për atë që i takon me ligj, administrata kthehet nga shërbim në mekanizëm varësie.
Kështu është krijuar një ndjesi ngulfatjeje: varfëri e thelluar për një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë, pasiguri ekonomike për shtresën e mesme dhe një hendek gjithnjë e më i dukshëm mes jetës së qytetarit të zakonshëm dhe pasurisë së përqendruar pranë pushtetit.
Një përmasë tjetër shqetësuese del në pah nga hetimet për lidhjet mes trafikut ndërkombëtar të kokainës, pastrimit të parave dhe investimeve në Shqipëri. Dosja Aruba, e hetuar nga SPAK në bashkëpunim me autoritete të huaja, ka dokumentuar takime të personave nën hetim në Aruba dhe vende të tjera, ku sipas prokurorisë dyshohet se koordinoheshin operacione narkotrafiku dhe investime në pasuri të paluajtshme, kulla e resorte turistike. Hetimet kanë ngritur dyshime edhe për kontakte me funksionarë të lartë shtetërorë.
Raportimet dhe pretendimet publike mbi dijeninë apo lidhjet e mundshme të Edi Ramës me takimet në Aruba kërkojnë sqarim dhe verifikim. Por përgjegjësia e qeverisjes shtrohet drejtpërdrejt: kush kontrollon origjinën e kapitalit, pronësinë reale të investimeve dhe marrëdhëniet mes biznesit, administratës dhe pushtetit? Zhvillimi nuk matet vetëm me kulla dhe resorte, por edhe me transparencën e parave dhe ligjshmërinë e vendimeve që qëndrojnë pas tyre.
Këtu debati ekonomik takohet me përgjegjësinë institucionale. Komisioni Europian, krahas përparimit të reformës në drejtësi, evidenton probleme të vazhdueshme me korrupsionin dhe funksionimin e institucioneve. SPAK-u ka hetuar figura dikur të paprekshme, një arritje që duhet mbrojtur. Por drejtësia penale nuk e zëvendëson përgjegjësinë politike. Prokuroria kërkon prova për fajësinë; qeverisja kërkon integritet dhe llogaridhënie edhe përpara vendimit gjyqësor.
Një polici demokratike nuk matet me aftësinë për të shpërndarë protestuesit, por me profesionalizmin, disiplinën dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut mbron jetën, ndalon torturën dhe trajtimin çnjerëzor ose poshtërues dhe garanton tubimin paqësor. Edhe Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës (CPT) ka evidentuar probleme serioze me garancitë kundër keqtrajtimit dhe kushtet e privimit të lirisë në Shqipëri. Dinjiteti njerëzor nuk pezullohet me urdhër policor.
Besueshmërinë e Policisë së Shtetit e rëndojnë edhe akuzat për lidhje të segmenteve të saj me krimin e organizuar, përfshirë çështjet e dosjes Metamorfoza. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, që duhet të garantojë kontrollin e ligjshmërisë, përballet gjithashtu me pikëpyetje mbi integritetin dhe efektivitetin e saj. Ligji nuk mbrohet duke u shkelur nga ata që janë ngarkuar ta zbatojnë.
Këto zhvillime e vendosin Shqipërinë përballë debatit mbi natyrën e pushtetit. Përvojat e Aleksandar Vučićit në Serbi, Viktor Orbánit në Hungari, Robert Ficos në Sllovaki dhe ish-kryeministrit Nikola Gruevski në Maqedoninë e Veriut, megjithëse të ndryshme, ofrojnë këndvështrime për përqendrimin e pushtetit, dobësimin e institucioneve të pavarura dhe trajtimin e kundërshtimit si kërcënim ndaj stabilitetit.
Edhe disa modele të pushtetit të personalizuar në Amerikën Latine ofrojnë paralele: vendimmarrja e përqendruar rreth udhëheqësit, propaganda e zhvillimit përballë pabarazisë sociale, privilegjet ekonomike dhe paraqitja e vazhdimësisë politike si kusht për përparimin kombëtar. Janë mekanizma që shfaqen në shoqëri të ndryshme, pavarësisht gjeografisë apo ideologjisë.
Në Shqipëri, debati mbi këto mekanizma lidhet me marrëdhënien mes pushtetit politik dhe interesave ekonomike, pavarësinë institucionale dhe trajtimin e kritikës. Projekti i qeverisjes flet gjuhën e Brukselit, por cilësia e tij përcaktohet nga mënyra si ushtrohet dhe kufizohet pushteti brenda vendit.
Montesquieu paralajmëronte për shpërdorimin e pushtetit kur ai nuk ndesh kufij. Pikërisht për këtë arsye, demokracitë mbështeten te kontrolli parlamentar, drejtësia e pavarur, media e lirë dhe mbrojtja e së drejtës për të protestuar. Në Shqipëri, këto mekanizma të kontrollit demokratik janë zbehur përballë përqendrimit të pushtetit dhe prirjeve autoritare të qeverisjes. Institucionet ekzistojnë formalisht, por aftësia e tyre për të kufizuar vullnetin e udhëheqësit mbetet një shqetësim thelbësor.
Rama qeveris që nga viti 2013 dhe fitoi mandatin e katërt në vitin 2025. Fitoret e përsëritura zgjedhore nuk dëshmojnë vetvetiu institucione të forta. Demokracia kërkon opozitë që konkurron ndershmërisht, media që heton pa frikë dhe qytetarë që kritikojnë pa u trajtuar si armiq.
Prandaj pyetja nuk është vetëm kur do të largohet Rama, por çfarë standardi qeverisjeje do të lërë pas. Kjo pyetje merr peshë të veçantë për brezat që do të trashëgojnë pasojat e vendimeve të sotme.
Për studentët, Europa nuk mund të jetë thjesht pasaporta që ua lehtëson largimin. Liria e lëvizjes nuk zëvendëson të drejtën për të jetuar me dinjitet në vendin e tyre: arsim cilësor, punë të denjë, meritokraci, siguri ekonomike dhe protestë pa frikën e forcës së paligjshme. Kur një brez kërkon perspektivë dhe përballet me plumba gome e arrestime, problemi është marrëdhënia e shtetit me të ardhmen e vet.
Edi Rama po u lë fëmijëve të Shqipërisë një vend më të vështirë për të jetuar, për t'u arsimuar, për të punuar dhe për të ndërtuar të ardhmen. Një Shqipëri ku privilegji shpesh peshon më shumë se merita, pasiguria ekonomike rëndon mbi familjet dhe besimi te institucionet është cenuar. Kostoja e këtij modeli po u trashëgohet brezave që vijnë.
Largimi politik i Ramës nuk është i largët. Por data ka më pak rëndësi sesa dëmi që po i shkaktohet vendit gjatë qëndrimit të tij në pushtet. Çdo vit i humbur në arsim, çdo mundësi e mohuar për një të ri, çdo familje e shtyrë drejt pasigurisë dhe çdo qytetar që humbet besimin te drejtësia përfaqëson një kosto që nuk shlyhet me ndryshimin e qeverisë.
Pushtetet mbarojnë. Pasojat e tyre mbeten. Dhe pasojat më të rënda nuk maten vetëm me paratë publike të shpërdoruara apo institucionet e dobësuara, por me mundësitë dhe vitet që u janë marrë njerëzve, veçanërisht studentëve dhe fëmijëve, të cilëve nuk u kthehet dot koha e humbur.
Shqipëria e vitit 1990 kërkonte të hynte në Europë. Shqipëria e vitit 2026 duhet të tregojë çfarë shteti po ndërton brenda kufijve të saj. Nuk mjafton të hapen kapituj negociatash kur qytetarët luftojnë për të drejtat që ato kapituj synojnë të garantojnë.
Europa nuk është një datë në kalendarin e qeverisë. Është mënyra si trajtohet qytetari, si shpenzohet paraja publike, si kufizohet forca e shtetit dhe si i kërkohet llogari atij që qeveris.
Nuk na mungon Europa në hartë. Na mungon ende, në praktikat e pushtetit, Europa si standard qeverisjeje. Dhe këtë nuk mund ta shtyjmë deri në vitin 2030.






















