Kripë dhe Piper 2 November 2026, 08:27 Nga VNA

Kampion bote në moshën 20-vjeçare, por mamaja i jep ende para xhepi: Historia e pazakontë e Kimi Antonellit dhe familjes që nuk e lë të bëhet milioner i përkëdhelur

Ndaje në Whatsapp

Kampion bote në moshën 20-vjeçare, por mamaja i jep ende para


Në moshën 20-vjeçare ka arritur atë që pilotë të mëdhenj nuk e realizojnë dot gjatë gjithë karrierës: është shpallur kampion bote në Formula 1. Ka një kontratë me Mercedesin, famë ndërkombëtare dhe një të ardhme që premton miliona euro. Por në shtëpinë e Kimi Antonellit ekziston një rregull që nuk e ndryshon as titulli botëror: paratë e xhepit ia jep mamaja, një herë në muaj, dhe nëse i shpenzon para kohe, duhet t'ia dalë vetë.
Kjo është historia e Andrea Kimi Antonellit, djaloshit italian që më 1 nëntor 2026 u bë kampioni më i ri i botës në historinë e Formula 1, duke i kthyer Italisë titullin pas 73 vjetësh. I fundit që e kishte fituar ishte Alberto Ascari, në vitin 1953.
Në Çmimin e Madh të Meksikës, Antonellit i mjaftonte vendi i nëntë për të siguruar titullin, por ai përfundoi i treti, pas Max Verstappen dhe Lewis Hamilton. Në podium, i mbështjellë me flamurin italian, nuk i mbajti dot lotët. 

Kampion bote në moshën 20-vjeçare, por mamaja i jep ende para


Kush është djali që u rrit mes gomave të makinave?
Kimi lindi në Bolonjë më 25 gusht 2006, në një familje ku makinat e garave ishin pjesë e jetës së përditshme. Babai i tij, Marco Antonelli, sot 62 vjeç, ka qenë pilot dhe drejtues i një ekipi automobilistik. Nëna, Veronica Pomaro, 53 vjeçe, ka punuar në Postën italiane.
Prindërit e tij nuk vijnë nga familje të pasura. Veronica është pasardhëse e një familjeje fermerësh nga Veneto, të shpërngulur drejt Emilias për t'i shpëtuar varfërisë. Marco ka punuar në servisin e të atit dhe ka bërë sakrifica financiare për të vazhduar pasionin për garat.
Në një intervistë për La Repubblica, ai kujton se dikur mori kredi në bankë për të blerë biletën e avionit, një helmetë të re dhe pajisjet që i duheshin për një garë.
Marco dhe Veronica u njohën në një palestër në Casalecchio di Reno në vitin 1997. Dy vjet më vonë u lidhën dhe krijuan familjen, megjithëse nuk u martuan kurrë.
Fëmijëria e Kimit kaloi në pistat e garave. E ëma bënte pazarin dhe gatuante për ekipin, ndërsa babai drejtonte kamionin me të cilin transportonin makinat dhe pajisjet.
Kur ishte vetëm shtatë vjeç, babai e futi fshehurazi në pistën e Hockenheimit, të mbuluar mes gomave të makinave dhe nën një çadër, sepse nuk kishte leje hyrjeje. Ishte hyrja e tij e parë në botën e madhe të automobilizmit.
Mamaja që nuk e trajton si kampion
Në shtëpi nuk e thërrasin kampion. Madje Veronica parapëlqen emrin e tij të parë, Andrea, dhe vazhdon ta quajë me përkëdheli miushin tim.
Ajo është personi që kujdeset që suksesi të mos ia ndryshojë karakterin.
“Çdo muaj i kaloj një shumë parash dhe duhet t'i dalin. Kemi vendosur një buxhet dhe ai duhet të mësojë ta respektojë”, tregon Veronica për La Repubblica.
Rregulli është i qartë: nëse Kimi dëshiron të shkojë me pushime, por i ka shpenzuar paratë në muajt e mëparshëm, nuk mund të kërkojë automatikisht të tjera.
Prindërit këmbëngulin se asgjë nuk duhet marrë si e mirëqenë. Edhe kur je kampion bote, duhet ta dish vlerën e punës dhe të parasë.
Veronica tregon se fama, rrobat e shtrenjta dhe luksi nuk e tërheqin të birin. Madje, kur duhet të marrë pjesë në një ceremoni, ajo i kërkon t'i dërgojë fotografi të veshjes për t'u siguruar që është veshur siç duhet.
“Sikur ta linim, do të shkonte edhe në një dasmë me pantallona të shkurtra”, thotë ajo me humor.
Por Kimi ka një dobësi: makinat. Do të blinte vazhdimisht makina të reja, nëse prindërit nuk do t'i vendosnin kufij.
Babai që zbuloi talentin, por nuk e besonte se do të bëhej kampion
Marrëdhënia me të atin është e veçantë. Marco është njëkohësisht babai që e ka rritur, njeriu që i ka mësuar garat dhe personi që e kupton më mirë se kushdo presionin e pistës.

Kampion bote në moshën 20-vjeçare, por mamaja i jep ende para


Për herë të parë e uli pas timonit kur Kimi ishte vetëm një vjeç, mbi këmbët e tij.
Më vonë solli në shtëpi një simulator. Babai kontrollonte pedalet, ndërsa djali timonin dhe marshat. Marco kujton se ndonjëherë e zinte gjumi dhe i biri e zgjonte me bërryl.
Kur Kimi ishte dhjetë vjeç, Marco e pa duke kontrolluar një Lamborghini në pistën e Adrias me një aftësi të pazakontë për moshën.
Atëherë e kuptoi se djali kishte lindur për të drejtuar makina garash.
Megjithatë, pohon se nuk e kishte imagjinuar kurrë që do të fitonte kampionatin botëror.
Dhe pas triumfit në Meksikë, ndërsa Italia festonte titullin historik, Marco kishte ende një peng: ekipi i tij sapo kishte humbur kampionatin italian GT në Mugello.
Me një ironi tipike familjare, ai tha se ishte më i mërzitur për titullin e humbur të ekipit sesa i emocionuar për titullin botëror të djalit.
Është edhe mënyra e tij për t'i kujtuar Kimit se në sport triumfi i djeshëm nuk të garanton asgjë nesër.
Motra e vogël që e adhuron
Në familjen Antonelli është edhe Maggie, motra 11-vjeçare e Kimit.
Ajo e adhuron vëllanë e madh, por, ndryshe nga pjesa tjetër e familjes, nuk ka ndonjë pasion të veçantë për makinat. Merret me gjimnastikë ritmike.
Veronica tregon me humor se vajza është aq e zgjuar sa arrin ta bindë Kimin për çfarë dëshiron vetëm me disa fjalë.
Maggie ishte gjithashtu në Meksikë për të ndjekur triumfin e vëllait, e veshur me një kostum shumëngjyrësh tradicional.
Një kampion që ende nuk e ka humbur thjeshtësinë
Në Formula 1, Antonelli njihet për natyrën e tij të afërt me njerëzit. Përqafon mekanikët, inxhinierët dhe njerëzit e ekipit, ndërsa ka një marrëdhënie pothuajse sentimentale me Mercedesin e tij.
Ai ka treguar se e puth makinën në mëngjes dhe në mbrëmje, sepse beson se, megjithëse është një objekt, diku mund të ketë edhe një shpirt.
Nuk ka zgjedhur rastësisht numrin 12, që e lidh me idhullin e tij Ayrton Senna, dhe nuk ka ndërmend ta ndryshojë.
Përtej shifrave të jashtëzakonshme të sezonit, në shtëpinë e tij nuk kanë ndryshuar shumë gjëra. Prindërit vazhdojnë të punojnë, motra merret me gjimnastikë dhe mamaja vazhdon të kontrollojë shpenzimet.
Kur u pyetën se çfarë do të dëshironin që njerëzit të shihnin tek i biri, Marco dhe Veronica nuk përmendën as rekorde, as famë dhe as miliona.
Dëshira e tyre është që njerëzit ta shohin si një djalë të mirë, punëtor dhe të respektueshëm, që e di se asgjë nuk arrihet pa përpjekje.
Në moshën 20-vjeçare, Kimi Antonelli ka fituar botën. Por në shtëpinë e tij, kampioni më i ri i historisë së Formula 1 vazhdon të jetë thjesht Andrea, djali që duhet t'i bëjë paratë e xhepit të zgjasin deri në fund të muajit.
Burimi: La Repubblica

Lexo gjithashtu

Video

Një avion privat Learjet 60 u rrëzua më 1 nëntor në një zonë të banuar pranë Cresthavenit, në Florida, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave në bord. Sipas Administratës Federale të Aviacionit të SHBA-së, avioni ishte nisur nga aeroporti Austin-Bergstrom në Teksas dhe po udhëtonte drejt Bahamasit. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur avioni përplaset pranë një rruge dhe shpërthen në flakë. Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, e cilësoi ngjarjen një “tragjedi të tmerrshme”. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit, raporton Reuters.

Nga rrugët e Tiranës në ekranet e Times Square: thirrja “Rama në burg, Berisha në burg” mbërrin edhe në zemër të New Yorkut.

Një zjarr i fuqishëm përfshiu hotelin “Good Luck” në Nepal, përgjatë rrugës turistike që të çon drejt kampit bazë të malit Everest. Sipas autoriteteve lokale, zjarri shpërtheu rreth orës 11:00 dhe dyshohet se u shkaktua nga një bombol gazi në kuzhinën e hotelit. Të gjithë turistët dhe punonjësit u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa nuk raportohet për viktima apo të lënduar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme