Diplomacia ndërkombëtare ka prodhuar një tjetër episod të pazakontë. Një diplomat kuban u dëbua nga Shtetet e Bashkuara pas një përplasjeje në selinë e Kombeve të Bashkuara, por në vendin e tij u prit si hero që kishte mbrojtur dinjitetin kombëtar. Në qendër të incidentit nuk ishte ndonjë dokument sekret apo marrëveshje ndërkombëtare, por një telefon celular.
Richard Tur de la Concepción, sekretar i parë i misionit kuban në OKB, u përfshi në një incident me një diplomat amerikan gjatë diskutimeve për embargon e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës.
Sipas autoriteteve amerikane, diplomati kuban shtyu një përfaqësues të SHBA-së dhe tentoi t’i merrte telefonin me të cilin po regjistrohej përplasja.
Kuba dha një version krejt tjetër, duke pretenduar se diplomati i saj po mbrohej nga provokimet dhe cenimi i hapësirës personale nga pala amerikane.
Incidenti u shoqërua edhe me një debat të ashpër mes ambasadorit amerikan në OKB, Mike Waltz, dhe ministrit të Jashtëm kuban Bruno Rodríguez.
Uashingtoni vendosi dëbimin e diplomatit, por historia nuk përfundoi aty.
Me mbërritjen në Havanë, Richard Tur de la Concepción u prit nga zyrtarë të Ministrisë së Jashtme kubane, të cilët dolën në aeroport me flamurin kombëtar.
Zëvendësministri i Jashtëm Gerardo Peñalver e vlerësoi diplomatin për qëndrimin e tij të vendosur dhe dinjitoz ndaj sjelljes që Havana e konsideron provokuese nga delegacioni amerikan.
Vetë diplomati falënderoi autoritetet për pritjen dhe deklaroi se Kuba do të triumfojë ndaj arrogancës amerikane.
Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me 130 vota pro, 17 kundër dhe 25 abstenime rezolutën që kërkon përfundimin e embargos amerikane ndaj Kubës. Rezoluta nuk ka karakter detyrues.
Kështu, një debat diplomatik për një çështje ndërkombëtare përfundoi me një telefon të goditur, një diplomat të dëbuar dhe një pritje me flamuj në aeroport.
Për amerikanët ishte një incident që meritonte dëbim. Për kubanët, një akt rezistence që meritonte nderime. Në OKB, ndërkohë, diplomacia vazhdon punën e saj, me kusht që telefonat të mbahen në distancë të sigurt.






















