Në Brazil, zgjedhjet mund t’i humbasësh me 4.4 milionë vota diferencë, por kjo nuk të pengon të shpallesh president. Të paktën kështu ka menduar Flávio Bolsonaro, i cili pas humbjes përballë Luiz Inácio Lula da Silvës vendosi ta zgjidhte vetë çështjen e fituesit. Dhe për 58 minuta ia doli të ishte president, të paktën në letrën që kishte shkruar.
Politikani i ekstremit të djathtë, djali i ish-presidentit Jair Bolsonaro, u largua drejt Miamit pas humbjes elektorale. Nga Shtetet e Bashkuara publikoi një letër ku e shpallte veten “presidentin e vërtetë të zgjedhur” të Brazilit, duke pretenduar se zgjedhjet ishin manipuluar.
Por presidenca e tij virtuale nuk zgjati shumë. Vetëm 58 minuta pas publikimit, letra u korrigjua dhe titulli presidencial u zëvendësua me formulimin më modest “udhëheqës i Brazilit”. Sipas raportimeve të The Guardian, ndryshimi erdhi pas presionit të zyrtarëve të administratës Trump, të cilët nuk dëshironin një krizë diplomatike me Brazilin.
Për ta bërë edhe më të veçantë këtë përpjekje për të marrë pushtetin me letër, dokumenti përdorte një emërtim të vjetruar të shtetit brazilian dhe një stemë që nuk është më në përdorim.
Reagimet në Brazil nuk vonuan. Gazeta, komentatorë politikë dhe madje edhe aleatë të familjes Bolsonaro e kritikuan ashpër episodin, duke e cilësuar një turp politik.
Ndërkohë, fitorja e Lulës është njohur nga partia e Bolsonaros dhe nga udhëheqës të huaj. Por Flávio Bolsonaro arriti të sigurojë një rekord personal: një presidencë që nuk kërkoi as inaugurim, as kabinet ministror dhe as dorëzim pushteti. Mjaftuan një letër, një publikim dhe 58 minuta për ta humbur sërish.






















