Donald Trump nuk e fitoi Çmimin Nobel për Paqen, por arriti t’i bëjë Norvegjisë një reklamë turistike që vështirë se do ta kishte menduar ndonjë agjenci marketingu.
Gjatë një tubimi në Michigan, presidenti amerikan e quajti Norvegjinë një “vend haleje”, duke shprehur pakënaqësinë e tij për faktin se Komiteti Norvegjez i Nobelit nuk i kishte dhënë çmimin e shumëdëshiruar. Trump shkoi më tej, duke deklaruar se nuk dëshironte emigrantë nga ky vend skandinav.
Në vend që t’i përgjigjej me deklarata diplomatike apo protesta zyrtare, agjencia turistike Visit Norway vendosi ta merrte fyerjen fjalë për fjalë.
Ajo publikoi një fushatë që promovonte disa prej tualeteve publike më spektakolare të Norvegjisë, të ndërtuara mes fjordeve, maleve dhe peizazheve të jashtëzakonshme.
Slogani ishte një parodi e drejtpërdrejtë e thirrjes së famshme të Trump: “Norvegjia i bën sërish madhështore haletë”.
Në faqen e saj, Visit Norway prezantoi tualete me arkitekturë moderne dhe pamje panoramike, duke i ftuar turistët t’i vizitojnë edhe kur nuk kanë nevojë t’i përdorin.
Rezultati ishte një sukses i menjëhershëm. Sipas platformës së specializuar Skift, faqja turistike regjistroi mbi 80 mijë vizita nga më shumë se 170 vende brenda pesë ditësh, me një rritje mbi 540 herë krahasuar me javën e mëparshme.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm norvegjez Espen Barth Eide kujtoi se qeveria nuk vendos për fituesin e Nobelit, pasi çmimi jepet nga një komitet i pavarur.
Por Visit Norway nuk u mor me sqarime kushtetuese. Një fyerje presidenciale u kthye në fushatë turistike dhe, me më pak se 10 mijë dollarë shpenzime për promovim në rrjetet sociale, Norvegjia mori një reklamë ndërkombëtare.
Trump nuk mori Nobelin, ndërsa norvegjezët morën mijëra vizitorë në faqen e tyre turistike. Dhe kësaj here, fjala “hale” rezultoi një investim mjaft fitimprurës.






















