Google ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt realizimit të një projekti ambicioz, ndërtimin e qendrave të të dhënave në orbitën e Tokës, të cilat do të përdoren për përpunimin e ngarkesave të mëdha të inteligjencës artificiale. Sateliti i parë eksperimental i projektit “Suncatcher”, i lëshuar në fillim të këtij muaji me një raketë Falcon 9 të kompanisë SpaceX, ka nisur funksionimin dhe ka arritur të komunikojë me stacionet tokësore.
Pajisja është e pajisur me katër procesorë Tensor (TPU), të zhvilluar nga Google për përpunimin e inteligjencës artificiale. Gjatë testimeve të para, inxhinierët i kërkuan modelit Gemma 4, të instaluar në satelit, të krijonte një poezi të shkurtër për hapësirën. Kompania konfirmoi se sateliti po funksionon normalisht, ndërsa faza aktuale e provave do të përqendrohet te aftësia e procesorëve për t'u përballur me temperaturat ekstreme dhe rrezatimin në hapësirë.
Nëse testimet do të japin rezultate pozitive, Google planifikon të dërgojë edhe dy satelitë të tjerë gjatë vitit 2027. Këta do të kenë kapacitet më të madh energjetik dhe do të pajisen me sisteme komunikimi optik përmes lazerit, duke mundësuar shkëmbimin më të shpejtë të të dhënave.
Synimi i projektit “Suncatcher” është krijimi i një rrjeti satelitësh që do të funksionojnë si qendra të dhënash në orbitë, duke kryer përpunime të avancuara për sistemet e inteligjencës artificiale. Google synon që kjo teknologji të bëhet ekonomikisht e leverdishme gjatë viteve 2030, çka mund të hapë një kapitull të ri në mënyrën se si ndërtohen dhe përdoren infrastrukturat kompjuterike.






















