
Një avion që udhëtonte nga Londra drejt Tiranës është detyruar të ndërpresë fluturimin dhe të kthehet në aeroportin e nisjes, pas raportimit për një defekt teknik.
Sipas raportimeve mediatike, avioni kishte përshkuar rreth gjysmën e rrugës drejt Shqipërisë kur është marrë vendimi për t'u rikthyer në Londër.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim mes pasagjerëve në bord, ndërsa ende nuk ka të dhëna të konfirmuara mbi natyrën e defektit dhe shkaqet që çuan në ndërprerjen e fluturimit.
Sipas raportimit, avioni i përkiste kompanisë “British Airways” dhe ishte nisur mëngjesin e kësaj të hëne nga aeroporti Heathrow. Pas rreth një ore fluturim, ekuipazhi ka njoftuar pasagjerët për problemin teknik dhe vendimin për t'u kthyer në aeroport.
Mes udhëtarëve ndodhej edhe pastori Paulin Vilajeti, i cili ka rrëfyer përmes një postimi në rrjetet sociale momentet e përjetuara në bord.
“Pas një ore fluturim me British Airways, nga Londra për në Tiranë, avioni pësoi defekt në ajër dhe u detyruam të kthehemi sërish në Heathrow. Falë Zotit Jezus, çdo gjë përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Zbritëm shëndoshë e mirë në tokë!”, është shprehur ai.
Vilajeti ka konfirmuar se, pavarësisht vonesës së shkaktuar nga incidenti, ka arritur të mbërrijë në Tiranë.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi natyrën e defektit teknik që detyroi avionin të ndërpriste udhëtimin.






















