
Studentët kanë vijuar protestën e tyre në Tiranë, duke u zhvendosur këtë të hënë përpara Kryeministrisë, ku kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e klasës aktuale politike.
Të pajisur me flamuj kombëtarë, të rinjtë kanë brohoritur parulla kundër qeverisë dhe përfaqësuesve të politikës. “Rama në burg, Berisha në burg”, “Policia e krimit” dhe “Turp, turp” kanë qenë disa prej thirrjeve që kanë jehuar përpara godinës së qeverisë.
Protesta, e cila ka hyrë në ditën e 21-të, vijon të ketë si kërkesë kryesore largimin e kryeministrit Rama. Megjithatë, studentët kanë shprehur kundërshtimin e tyre edhe ndaj opozitës, duke kërkuar ndryshime më të gjera në drejtimin politik të vendit.
Tubimi përpara Kryeministrisë është paraprirë nga një mobilizim i studentëve në disa fakultete të Universitetit të Tiranës. Që prej orëve të mëngjesit, grupe të rinjsh kanë hyrë në Fakultetin e Drejtësisë, Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Fakultetin e Mjekësisë, duke u bërë thirrje studentëve të bojkotojnë mësimin dhe t'i bashkohen protestës.
Pas thirrjeve për bojkot dhe bashkimit të studentëve të tjerë, protestuesit kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, duke marshuar drejt Kryeministrisë.
Të rinjtë kanë paralajmëruar vijimin e qëndresës së tyre, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe ndryshime në drejtimin e vendit.






















