
Studentët protestues kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës, duke u ndalur këtë herë në Fakultetin e Mjekësisë, ku u kanë bërë thirrje kolegëve të tyre të ndërpresin procesin mësimor dhe t'i bashkohen protestës.
Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Bashkohuni me ne!”, të rinjtë kanë hyrë në ambientet e fakultetit, duke kërkuar mobilizimin e studentëve dhe zgjerimin e bojkotit në universitetet e kryeqytetit.
Protestuesit kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa thirrjet e tyre janë drejtuar edhe kundër kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Marshimi drejt Fakultetit të Mjekësisë vjen në kuadër të ditës së 21-të të protestës studentore, gjatë së cilës të rinjtë kanë lëvizur nga një fakultet në tjetrin, duke ftuar studentët të bashkohen me tubimin dhe të bojkotojnë mësimin.






















