
Studentët kanë vijuar edhe këtë të martë protestën e tyre, duke përcjellë përmes pankartave mesazhe kundër pretendimeve për ndikime politike dhe të huaja në organizimin e lëvizjes studentore.
Një prej pankartave të mbajtura nga protestuesit kishte një mesazh të drejtpërdrejtë: “Nuk na solli Rusia, nuk na solli Greqia, nuk na solli Veliaj, nuk na solli Partia, na thirri Shqipëria”.
Përmes këtij reagimi, studentët kanë kundërshtuar pretendimet se protestat e tyre nxiten nga interesa politike apo faktorë të jashtëm, duke theksuar se mobilizimi lidhet me shqetësimet për të ardhmen e tyre në vend.
Një tjetër mesazh që ka tërhequr vëmendjen ishte “Diploma nuk është biletë emigrimi”, përmes të cilit të rinjtë kanë ngritur shqetësimin për perspektivën e punësimit dhe largimin e të diplomuarve nga Shqipëria.
Ndërkohë, protestuesit kanë vijuar thirrjet drejtuar studentëve të tjerë për të bojkotuar procesin mësimor dhe për t'iu bashkuar tubimeve.
Me pankartat dhe mesazhet e tyre, studentët kërkojnë që institucionet të dëgjojnë shqetësimet e brezit të ri dhe të krijojnë mundësi që të ardhmen profesionale ta ndërtojnë në Shqipëri, pa e parë emigrimin si rrugëdaljen e vetme.






















