
Avokati Plarent Ndreca ka mbërritur këtë të martë në GJKKO, ku do të zhvillohet seanca për Erion Veliajn dhe të pandehurit e tjerë, ndërsa përplasja mes kryebashkiakut të Tiranës dhe kryeministrit Edi Rama pritet të bëhet pjesë e diskutimeve në sallën e gjyqit.
Në seancë pritet të lexohet letra që Veliaj i ka drejtuar gjykatës, ku pretendon se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, e ka kërcënuar gjatë takimit në burgun e Fierit, duke i përcjellë ultimatume në emër të kryeministrit.
Një natë më parë, në emisionin “Opinion”, Plarent Ndreca deklaroi se Edi Rama e kishte telefonuar dhe se mes tyre kishte pasur një përplasje të ashpër, me kërcënime dhe sharje reciproke. Sipas avokatit, kryeministri e kishte akuzuar se kishte nxitur pavarësinë politike të Veliajt ndaj tij.
Toni Gogu e ka konfirmuar takimin me Veliajn në burgun e Fierit, por ka mohuar akuzat për kërcënime.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse gjykata do ta administrojë letrën e Veliajt dhe si do t’i trajtojë pretendimet e tij për presion politik gjatë paraburgimit.






















