Përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt ka marrë një tjetër kthesë, këtë herë me akuza të drejtpërdrejta për kërcënime edhe ndaj avokatit të kryebashkiakut të Tiranës, Plarent Ndreca.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Ndreca deklaroi se kryeministri e ka telefonuar personalisht dhe se mes tyre ka pasur komunikime të tensionuara, të shoqëruara me kërcënime dhe sharje reciproke. Sipas tij, një përplasje e tillë ka ndodhur edhe gjatë ditës së hënë.
Në qendër të konfliktit, sipas Ndrecës, qëndron pakënaqësia e Ramës për pavarësinë politike që Erion Veliaj ka tentuar të fitojë ndaj tij. Madje, kryeministri e ka bërë përgjegjës personalisht avokatin, duke e akuzuar se ka nxitur shkëputjen politike të kryebashkiakut.
“Unë kam pasur një komunikim të tensionuar me kryeministrin. Edhe sot. Kam pasur telefonatë me kërcënime e sharje reciproke. Të tensionuar. Nuk është mirë t’i nxjerr, por jam i detyruar. Jam dëshmitar vetë dhe kam komunikime me kryeministrin. Rama më ka telefonuar dhe ka treguar pakënaqësitë e tij ndaj meje si këshilltar politik. Më ka thënë: ‘Ti ke nxitur pavarësinë e Veliajt ndaj meje’”, deklaroi Ndreca.
Ai tha se është dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve të përmendura në pikën e tretë të letrës së publikuar nga Veliaj dhe se disponon komunikime me kryeministrin, të cilat, sipas tij, mbështesin pretendimet e kryebashkiakut.
Ndreca foli edhe për ndryshimin e trajtimit të Veliajt në burg, duke e lidhur atë me reagimin publik të kryebashkiakut për protestat në Serbi. Sipas tij, pikërisht pas këtij mesazhi ka ndryshuar sjellja e administratës së burgjeve ndaj Veliajt.
Avokati vuri në dyshim edhe shpjegimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, se vizita në burgun e Fierit kishte si qëllim verifikimin e kushteve të institucionit.
“Nga momenti kur bëri mesazhin për Serbinë, ka pasur një ndryshim sjelljeje ndaj Veliajt nga Drejtoria e Burgut. Gogu thotë se ka shkuar për të parë kushtet e burgut, por ata janë takuar në zyrën e drejtorit të burgut për 1 orë e gjysmë. Nuk shihen kushtet e burgut te zyra e drejtorit. Nuk jam lejuar ta takoj Veliajn jashtë orarit zyrtar, ndërkohë që Gogu është lejuar edhe pse ligji na trajton njësoj si avokatin dhe ministrin”, u shpreh ai.






















