Arbër Hajdarit ia kanë “mbytur” telefonin mesazhet për përfshirjen e emrit të tij në luftën e hapur mes Ramës dhe Veliajt, aq sa është ndier i detyruar të reagojë publikisht.
Por gjithë zemërimin dhe ironinë i kishte vetëm për një person: Erion Veliajn, që edhe për të na qenka “Lali Eri”. Për Kryeministrin Rama, asnjë fjalë.
“Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, shkruan Hajdari.
Vetëm se, sipas asaj që pretendon Veliaj, nuk ishte Lali Eri ai që po kërkonte ta punësonte. Kryebashkiaku pretendon se Rama i kishte kërkuar, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, t’ia delegonte kompetencat e Bashkisë së Tiranës Hajdarit.
Një hollësi që në reagimin e tij humbet rrugës.
“Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!”, vijon ai.
Në prag të Big Brother, kjo ishte një histori që Hajdari me sa duket nuk e kishte parashikuar. Nga komentet për banorët, emri i tij përfundoi në debat për drejtimin e kryeqytetit. Dhe sqarimin e bëri me të gjitha: habinë, zemërimin dhe një “larg qoftë” për Lali Erin.
Më pas u kujtoi ndjekësve se angazhimi i tij është tjetërkund.
“Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë. E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota", shkruan Hajdari.
Ministri Gogu e ka mohuar kategorikisht pretendimin se i ka përcjellë Veliajt një ultimatum nga Rama gjatë takimit në burgun e Fierit. Hajdari, nga ana e tij, mohon çdo lidhje me historinë dhe e mbyll me firmën e njohur: “Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës ”.
Për Lali Erin, sidoqoftë, e gjeti pak kohë edhe të hënën.






















