
Partia Demokratike po ndjek qëndrime të ndryshme në komisionet parlamentare, duke bërë përjashtime nga strategjia e bojkotit. Ndërsa në disa komisione demokratët vijojnë të kundërshtojnë normalitetin parlamentar, në të tjera janë rikthyer për të diskutuar projektbuxhetin dhe Paketën Fiskale 2027.
Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, deputetët demokratë morën pjesë në diskutimet për projektbuxhetin, ku Eno Bozdo kërkoi më shumë mbështetje për sektorët prodhues, përfshirë lehtësira dhe përjashtime fiskale.
Edhe deputetja Jorida Tabaku u përfshi në diskutimet gjatë raportimit të Bankës së Shqipërisë, duke ngritur shqetësime për modelin ekonomik të qeverisë, burimet e rritjes dhe kostot që ndryshimet tatimore sjellin për biznesin e vogël.
Deputetja demokrate ngriti gjithashtu shqetësimin për dobësimin e sektorëve të bujqësisë dhe fasonerisë, duke theksuar se këto aktivitete nuk po zëvendësohen nga sektorë me ndikim të ngjashëm në punësim dhe të ardhurat e familjeve. Ajo kërkoi sqarime edhe për burimet e financimit të ndërtimit, duke ngritur shqetësime lidhur me rrezikun e pastrimit të parave.
Ndërkohë, në komisionet e tjera, strategjia e përcaktuar ishte vijimi i bojkotit, ku përfaqësuesit e opozitës duhej të deklaronin mungesën e normalitetit parlamentar dhe më pas të largoheshin nga mbledhjet.
Megjithatë, kjo linjë nuk u respektua nga të gjithë. Në Komisionin e Ligjeve, deputeti demokrat Arjan Ndoja vendosi të merrte pjesë në diskutimet për projektbuxhetin, duke i drejtuar pyetje konkrete ministrit të Financave. Ai argumentoi se, pavarësisht protestave dhe situatës politike, buxheti i shtetit mbetet një nga ligjet më të rëndësishme që miraton Kuvendi.
Në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, kryetarja Ina Zhupa vijoi drejtimin e mbledhjes, por diskutimet u përqendruan kryesisht te protestat dhe përplasjet politike me deputetët socialistë.
“Qytetarët kanë 156 ditë që protestojnë. Studentët kanë 21 ditë në revoltë dhe asgjë nuk është dhe nuk mund të jetë normale në këtë Kuvend”, deklaroi Zhupa, duke shkaktuar reagimin e deputetit socialist Erion Malaj, i cili akuzoi opozitën se kishte tentuar të përvetësonte kauzën e studentëve.
Ndryshe nga këto komisione, në Komisionin e Punëve të Jashtme nuk u paraqit asnjë deputet demokrat për të shprehur qëndrimin e partisë. Edmond Haxhinasto ishte i vetmi përfaqësues i opozitës përballë kreut të diplomacisë, Ferit Hoxha.
Pjesëmarrja e demokratëve në diskutimet për buxhetin, ndërkohë që bojkoti vijon në komisionet e tjera, nxjerr në pah një qëndrim jo të njëtrajtshëm të PD-së ndaj punimeve parlamentare. Mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një përjashtim të kufizuar vetëm te çështjet ekonomike apo për një ndryshim më të gjerë të strategjisë së opozitës.






















