Nga Desada Metaj
Ajo çka ka ndodhur mes Erion Veliajt dhe Toni Gogut nuk është thjesht një konflikt institucional apo politik. Është një akuzë për shantazh në emër të funksionit publik. Sigurisht, për ta vërtetuar, kemi fjalën e Veliajt përballë asaj të Toni Gogut. Por dy ish-miqtë e vjetër tashmë ndodhen në fronte të ndryshme dhe ajo që i ndan është hakmarrja primitive e Edi Ramës.
Gjatë gjithë ditës së sotme ka një pyetje që mbetet pa përgjigje pas përplasjes publike mes Erion Veliajt dhe ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu: Çfarë u tha realisht mbrëmjen e së premtes në qelinë e burgut të Fierit? Ishte një vizitë institucionale për të dëgjuar ankesat e një të paraburgosuri, siç pretendon ministri, apo një mision për t’i përcjellë kryebashkiakut të Tiranës ultimatumin e Edi Ramës?
Është e qartë se, në cilësinë e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu ka të drejtë të kryejë vizita në burgje e paraburgime, të shohë nga afër situatën në qeli dhe të dëgjojë ankesat e të dënuarve apo të paraburgosurve, qofshin këta zyrtarë të lartë, bosë të krimit të organizuar apo të dyshuar për krime ordinere.
Në këtë kontekst, vizita e tij në burgun e Fierit dhe takimi me kryebashkiakun Erion Veliaj nuk do të përbënin lajm, nëse Ministria do ta kishte njoftuar dhe do të kishte sqaruar se Gogu shkoi për të dëgjuar ankesat dhe pretendimet e të zgjedhurit vendor.
Për më tepër, kjo vizitë ndodhi në një kohë kur transferimi i Veliajt ishte shoqëruar me akuza të forta, si dhe me klasifikimin si sekret shtetëror të urdhrit të Sadleva Bodos, drejtoreshës së përgjithshme të sapoemëruar të Burgjeve, për lëvizjen e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt burgut të Fierit.
Veliaj foli për rrëmbim policor, ndërsa askush nuk e përgënjeshtroi pretendimin se ai ishte transferuar pasi Edi Rama e kishte ridënuar, nën dyshimin se kryebashkiaku ishte financues i protestës së Flamingove dhe, për rrjedhojë, kishte cenuar rendin dhe sigurinë publike.
Në gjithë këtë ekuacion, shijen më të shëmtuar e kishte heshtja e grupit parlamentar të PS-së dhe rreshtimi në bllok në krah të Edi Ramës dhe hakmarrjes së tij.
Një hakmarrje që, sipas akuzave të Veliajt, u thellua me vizitën e Toni Gogut në qeli. Një vizitë që ngriti shumë pikëpyetje dhe që kërkon një hetim të thelluar nga SPAK, pasi Veliaj, fillimisht përmes avokatit e më pas përmes një letre me shkrim dore, akuzoi ministrin se i kishte përcjellë mesazhe të drejtpërdrejta nga Edi Rama për të lënë drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Në të kundërt, pasojat për të do të ishin të rënda.
Por Toni Gogu, në stilin e zakonshëm rilindas, e mohoi gjithçka, duke pranuar se e kishte takuar Veliajn dhe duke u shprehur i keqardhur për ato që i konsideroi të pavërteta.
Ndërsa njeriu që i hapi dyert e politikës dhe që, sigurisht, e njeh më mirë dhelpërinë e Edi Ramës, publikoi një letër ku këmbëngulte se Toni Gogu gënjente dhe se Edi Rama ishte, në fakt, autori i gjithë kalvarit të burgut të tij gjatë ditëve të fundit.
Erion Veliaj nuk është shquar ndonjëherë për luajalitet apo qëndrim dinjitoz politik, por mesa duket burgu bën punën e vet. Më në fund, pas thuajse dy vitesh në ngriva-shkriva me Edi Ramën, ka marrë guximin t’i dalë përballë në një përplasje nga e cila duket se nuk ka më kthim pas.
Me një element shtesë: ndryshe nga momenti kur Veliaj u arrestua, Edi Rama ndodhet në një situatë të vështirë për shkak të skandaleve që kanë përfshirë pushtetin e tij, si dosja “Balluku”, arresti shtëpiak për ish-shefen e SHISH-it, Vlora Hyseni, arrestimi i Ergys Agasit dhe një intervistë e Mirel Mërtirit, bosit të inceneratorëve, që pritet së shpejti të publikohet në një media të huaj.
Dhe në këtë klimë ekziston mundësia që paralajmërimi i Toni Gogut, sipas pretendimeve të Veliajt, të jetë një gur tjetër në barrën që rëndon mbi shpinën e Edi Ramës.
Sepse ka një detaj që ndoshta të gjithë e harrojnë.
SPAK kryen shpesh përgjime në burgje. Herë për zyrtarë e herë për bosë krimi. E jo rrallë ka ndodhur që ata të jenë kapur “gafil”. Kjo i ndodhi pak muaj më parë Veliajt në Durrës dhe jo pa shkak ai mund të ketë qenë edhe këtë herë nën vëzhgimin e imët të SPAK.
Askush nuk mund të thotë me siguri nëse biseda mes Gogut dhe Veliajt është përgjuar. Por kjo nuk e ndryshon faktin se akuzat e kryebashkiakut duhen hetuar.
Sepse në këtë histori nuk mjafton deklarata e ministrit se rrethanat e vizitës janë të dokumentuara dhe të verifikueshme. Pikërisht këto rrethana, përfshirë çdo provë të mundshme të komunikimit mes tyre, duhet të jenë objekt verifikimi.
Nëse vërtetohet se Toni Gogu e kërcënoi Erion Veliajn për llogari të Edi Ramës, kjo do të dëshmonte, së pari, se transferimi në Fier ishte përdorur për t’i mbyllur gojën kryebashkiakut, ndërsa lufta mes tyre duket se sapo ka nisur.
Së dyti, do të kishim të bënim me një akt jashtëzakonisht të rëndë: një kryeministër që përdor ministrin e Drejtësisë për t’i përcjellë një të paraburgosuri ultimatume dhe kërcënime me pasoja penale, në këmbim të dorëzimit të pushtetit politik.
Por në gjithë këtë histori ka edhe një ironi të madhe.
Erion Veliaj është ndoshta njeriu i fundit që mund të ankohet për diabolizmin politik të Edi Ramës. Për vite me radhë ai ka qenë kopja më e shëmtuar e tij, një nxënës i zellshëm që jo vetëm përvetësoi metodat e mjeshtrit, por u përpoq t’i përsoste ato.
Veliaj e meriton gjithë diabolizmin e Edi Ramës, sepse për shumë vite ishte vetë pjesë e atij sistemi që sot pretendon se po e shtyp.
Por pushteti ka një të metë që njerëzit si Edi Rama shpesh e harrojnë. Nxënësit më të bindur janë edhe ata që i njohin më mirë sekretet e mësuesit. Dhe ndonjëherë, kur mjeshtri vendos të sakrifikojë nxënësin për të shpëtuar veten, zbulon se i ka mësuar atij shumë më tepër nga ç’duhej.
Sepse ndonjëherë janë pikërisht nxënësit më të shëmtuar ata që kanë aftësinë të nxjerrin zbuluar mësuesin.






















