Një fondacion holandez që lufton duhanpirjen po përgatitet të paraqesë një kallëzim penal ndaj kompanisë Philip Morris, duke e akuzuar për mashtrim të konsumatorëve dhe reklamim të ndaluar të sistemit të duhanit me ngrohje IQOS. Sipas transmetuesit holandez NOS, kallëzimi pritet t’i dorëzohet Prokurorisë Publike në mesin e muajit nëntor dhe do të përfshijë jo vetëm kompaninë, por edhe drejtues të saj dhe shkencëtarë që mbështesin pretendimet për ndikimin shëndetësor të produktit.
Avokatja Benedicte Ficq, përfaqësuese e Fondacionit për Parandalimin e Duhanpirjes tek të Rinjtë, pretendon se Philip Morris i mashtron konsumatorët duke e paraqitur IQOS-in si një alternativë më pak të dëmshme sesa cigaret tradicionale. “Produkti i duhanit me ngrohje është një valë e re mashtrimi. Është një mënyrë e re për të mbajtur në këmbë modelin e biznesit të industrisë së duhanit”, deklaroi Ficq. Sistemi IQOS funksionon duke ngrohur duhanin në vend që ta djegë atë. Philip Morris argumenton se kjo mënyrë përdorimi çliron përqendrime më të ulëta të substancave toksike dhe, për rrjedhojë, paraqet rrezik më të vogël krahasuar me pirjen e zakonshme të duhanit. Por fondacioni kundërshton këtë pretendim, duke theksuar se produkti shkakton varësi dhe ekspozon përdoruesit ndaj substancave kancerogjene.
Edhe Instituti Kombëtar Holandez për Shëndetin Publik dhe Mjedisin, i cituar nga NOS, paralajmëron se duhani me ngrohje nuk përbën një alternativë të sigurt ndaj cigareve. Kallëzimi i planifikuar mbështetet edhe nga disa organizata të njohura shëndetësore në Holandë, mes tyre Instituti Holandez i Kancerit, Fondacioni i Zemrës, Fondi për Mushkëritë dhe Shoqata Holandeze e Kancerit. Nuk është hera e parë që fondacioni dhe avokatja Ficq ndërmarrin një nismë të tillë ndaj Philip Morris. Në vitin 2016, ata paraqitën një kallëzim penal ndaj kompanisë, ku përfshiheshin edhe akuza për tentativë vrasjeje nga pakujdesia dhe tentativë sulmi, por çështja nuk çoi në ndjekje penale. Ficq shprehet se këtë herë ka më shumë gjasa që kallëzimi të ketë rezultat, pasi bëhet fjalë për një produkt tjetër dhe për shkelje të pretenduara që ekipi i saj thotë se i ka dokumentuar tashmë.






















