Real Madridi mban një epërsi të konsiderueshme ndaj rivalëve në historinë e La Ligës sa i përket penalltive të fituara. Sipas statistikave të publikuara nga “Mundo Deportivo”, klubit madrilen i janë akorduar plot 601 penallti gjatë historisë së kampionatit spanjoll, një shifër që e vendos të shkëputur në krye të kësaj renditjeje.
Barcelona renditet në vendin e dytë me 520 penallti, ndërsa Atletico Madridi mban vendin e tretë me 498. Kështu, diferenca mes Real Madridit dhe rivalit të tij më të afërt është 81 penallti, ndërsa ndaj Atleticos shkon në 103.
Statistika u rikthye në vëmendje pas penalltisë së diskutueshme të fituar nga Kylian Mbappe në ndeshjen ndaj Racing Santanderit, ku Real Madridi triumfoi 3-0. Sulmuesi francez u rrëzua në zonë dhe gjyqtari akordoi 11-metërsh, por vendimi shkaktoi polemika. Ish-arbitri Eduardo Iturralde Gonzalez vlerësoi se kontakti nuk ishte i mjaftueshëm për të dhënë penallti.
Edhe në shekullin XXI, Real Madridi vazhdon të kryesojë këtë statistikë. Që nga fillimi i këtij shekulli, madrilenëve u janë akorduar 235 penallti, përpara Barcelonës me 204 dhe Athletic Club me 171. Ajo që bie në sy është mungesa e Atletico Madridit në tri vendet e para të kësaj renditjeje.
Shifra të tilla kanë ushqyer prej vitesh debatet mes tifozëve për pretendimet se Real Madridi përfiton nga vendimet e arbitrave. Megjithatë, numri i penalltive të akorduara nuk është në vetvete provë për favorizim. Një nga faktorët që mund të ndikojë në këtë statistikë është edhe stili i lojës së madrilenëve, të cilët historikisht kanë pasur sulmues të shpejtë dhe të aftë në depërtimet drejt zonës kundërshtare, duke krijuar më shumë situata ku mund të shkaktohen penallti.






















