Kylian Mbappe vazhdon të shkruajë historinë në kampionatin spanjoll. Sulmuesi i Real Madridit ka arritur një rekord të veçantë, pasi ka shënuar ndaj çdo skuadre me të cilën është përballur në La Liga.
Francezi gjeti rrugën e rrjetës edhe ndaj Racing Santanderit, duke vazhduar serinë e tij mbresëlënëse në futbollin spanjoll. Mbappe realizoi nga pika e bardhë në minutën e 11-të, duke i dhënë avantazhin e hershëm skuadrës madrilene.
Sipas statistikave të OptaJose, me këtë realizim 27-vjeçari ka shkuar në kuotën e 68 golave ndaj 24 skuadrave të ndryshme në La Liga. Kjo do të thotë se asnjë prej kundërshtarëve me të cilët është përballur deri më tani në kampionat nuk ka arritur t'i shpëtojë golave të tij.
Përveç këtij rekordi, Mbappe po konfirmon edhe saktësinë e tij nga pika e bardhë. Me penalltinë e realizuar ndaj Racing Santanderit, sulmuesi ka shënuar 18 herë nga 11-metërshi në La Liga që prej fillimit të sezonit 2024-2025.
Në këtë statistikë ai ndan vendin e parë me Ante Budimirin e Osasunës, i cili ka realizuar gjithashtu 18 penallti gjatë së njëjtës periudhë. Asnjë futbollist tjetër nuk ka shënuar më shumë nga pika e bardhë në kampionatin spanjoll gjatë këtij intervali.
Këto shifra dëshmojnë edhe një herë ndikimin e Mbappes te Real Madridi, ku sulmuesi francez po vazhdon të vendosë rekorde dhe të jetë një nga armët kryesore të skuadrës në garën për objektivat sezonalë.






















