Politika 2 November 2026, 17:31 Nga VNA

Veliaj përgënjeshtron ministrin Toni Gogu, publikon letrën me pretendimet për ultimatumin e Ramës: Kam më shumë dinjitet se Kryeministri

Ndaje në Whatsapp

Veliaj përgënjeshtron ministrin Toni Gogu, publikon letrën me

Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka shpërthyer publikisht. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Veliaj ka dalë kundër deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duke pretenduar se ky i fundit i ka përcjellë në burg një ultimatum në emër të Ramës për të hequr dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.

Në reagimin e tij, Veliaj ka publikuar një letër të shkruar me dorë, ku pretendon se ka dokumentuar përmbajtjen e takimit me ministrin Gogu në burgun e Fierit. Sipas kryebashkiakut, gjatë kësaj bisede i janë përcjellë tri kërkesa të Kryeministrit, të shoqëruara me kërcënime për rëndimin e pozitës së tij penale.

Veliaj pretendon se Rama ka urdhëruar personalisht transferimin dhe izolimin e tij, duke ndërhyrë edhe në lejet për trajtim spitalor, takimet dhe kontaktet me familjarët e miqtë.

Sipas letrës së publikuar, kërkesa e parë ka qenë që Veliaj të pranojë përfshirjen në organizimin apo financimin e protestave të përmendura si “Flamingot – Studentët”. Në të kundërt, ai pretendon se është kërcënuar me akuza të reja për “prishje të rendit kushtetues” dhe deri në 100 vite burg.

Kërkesa e dytë, sipas Veliajt, ka qenë heqja dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe delegimi i kompetencave te Arbër Hajdari. Ndërsa kërkesa e tretë lidhet me ndërprerjen e këshillimeve me avokatin Plarent Ndreca.

Por përtej pretendimeve për ultimatumin, Veliaj ka lëshuar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë politik ndaj Ramës, duke e akuzuar se po cenon dinjitetin e tij.

“Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim. Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”, shkruan Veliaj.

Kryebashkiaku ka hedhur poshtë edhe pretendimet se ka organizuar apo financuar protesta, duke i cilësuar ato si “haluçinacione bolshevike”. Ai sfidon Ramën që të publikojë qoftë edhe një provë për këto akuza.

“Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”, përfundon Veliaj.

Reagimi i kryebashkiakut vjen pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i cili tha se të premten, më 30 tetor, kishte zhvilluar një takim me Veliajn në burgun e Fierit, por mohoi kategorikisht se i kishte përcjellë ndonjë ultimatum nga kryeministri Edi Rama.

Gogu deklaroi se vizita ishte kryer në ushtrim të përgjegjësive të tij institucionale, me qëllim verifikimin e kushteve të trajtimit të Veliajt dhe dëgjimin e ankesave të ngritura publikisht nga avokati i tij.

Ministri deklaroi gjithashtu se rrethanat e vizitës ishin të dokumentuara dhe të verifikueshme, ndërsa reagimin e mbylli me shprehjen: “Koha dhe e vërteta ecin dorë për dore”.

Megjithatë, reagimi i mëvonshëm i Veliajt e kundërshton drejtpërdrejt versionin e ministrit. Ndërsa Gogu mohon përcjelljen e kërcënimeve, kryebashkiaku këmbëngul se gjatë takimit i janë komunikuar kërkesa konkrete në emër të Ramës.

Përtej akuzave për takimin në burg, reagimi i Veliajt nxjerr në pah tensionet brenda Partisë Socialiste. Kryebashkiaku, dikur një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Ramës, tashmë e sfidon hapur Kryeministrin, duke e kthyer përplasjen mes tyre në një konflikt publik, përmasat dhe pasojat politike të të cilit mbeten për t'u parë.

Video

Veliaj sfidon Ramën nga burgu: “Nxirr një provë për protestat, ndryshe ik!”

Një pallat në qytetin e Shkodrës është përfshirë nga flakët, ndërsa zjarri ka përfshirë katin e fundit të ndërtesës. Pamjet tregojnë flakët që përhapen në pjesën e sipërme të pallatit, duke krijuar një situatë shqetësuese për banorët. Ende nuk dihen shkaqet e zjarrit dhe nëse ka persona të lënduar.

Nisin arrestimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

Vijon protesta para Kryeministrisë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme