Vizita e beftë që Ministri i Drejtësisë Toni Gogu i bëri në qeli kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj është shndërruar në kryefjalën e mediave dy ditët e fundit.
Ndërkohë, SPAK ende nuk ka reaguar nëse ka nisur një hetim penal për të verefikuar pretendimet e Veliajt, se është kërcënuar në emër dhe për llogari të Edi Ramës që të japë dorëheqjen nga detyra si kryetar Bashkie.
Ministri Gogu e vizitoi Veliajn rreth orës 22:30 të mbrëmjes në qelinë e burgut të Fierit. Veliaj saktësojnë burimet është vendosur vetëm në qeli, pas trasferimit nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit.
Burimet thonë se si në hyrje ashtu dhe në dalje vizita e ministrit është e dokumentuar. Pra ai është regjistruar në hyrje dhe në dalje. Ndërsa cdo lëvizje brenda ambjenteve të burgut është e fokusuar nga kamerat e sigurisë të instaluara brenda IEVP-së.
Gjithashtu edhe vetë Gogu e ka pranuar vizitën, pasi sic tha e ka mik dhe shkoi të dëgjonte shqetësimet e tij, por mohoi ta ketë kërcënuar apo ti ketë përcjellë mesazhet e Edi Ramës. Ndaj SPAK, është përpara sfidë që të hetojë nëse u kërcënua ose jo Erion Veliaj, pasi deri më tani kemi fjalën e kryebashkiakut përballë asaj të Ministrit.






















