Policia greke ka zhvilluar një operacion kundër një organizate të dyshuar kriminale, e cila akuzohet për gjobëvënie ndaj bizneseve, shpërthime me granata, vjedhje dhe përfshirje në një tentativë vrasjeje.
Sipas informacioneve, operacioni ka nisur në orët e para të së martës dhe është zhvilluar nga strukturat e specializuara të policisë greke, të njohura si FBI-ja greke.
Hetuesit dyshojnë se organizata drejtohej nga shtetasi shqiptar Klodian Lekocaj, i njohur edhe me emrin Klod Cara, i cili ndodhet i burgosur në burgun e Trikallas në Greqi. Sipas të njëjtave informacione, në organizimin e veprimtarisë së dyshuar kriminale mund të kenë qenë të përfshirë edhe tre persona të tjerë që ndodhen në burgje greke: një i burgosur rom në Malandrino dhe dy shtetas egjiptianë në burgjet e Avlonës dhe Malandrinos.
Gjatë operacionit janë arrestuar pesë persona që banonin në Athinë dhe dyshohet se vepronin si pjesëtarë të organizatës. Sipas burimeve policore të cituara në raportim, grupi dyshohet se përdorte kërcënime, sulme me mjete shpërthyese dhe veprime të tjera të dhunshme ndaj bizneseve.
Një nga episodet e hetuara lidhet me dy shpërthime të ndodhura në fillim të shtatorit, në dy dyqane në qendër të Athinës. Sipas hetuesve, persona të lidhur me grupin hodhën granata drejt ambienteve tregtare, duke shkaktuar dëme materiale.
Një tjetër incident është regjistruar në fillim të tetorit, kur një granatë u hodh jashtë një dyqani, por nuk shpërtheu. Një nga pistat kryesore të hetimit është roli i personave të burgosur në organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë kriminale jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Autoritetet po hetojnë lidhjet mes të arrestuarve në Athinë dhe personave që dyshohet se drejtonin aktivitetin nga burgjet greke. Çështja përfshin dyshime për disa vepra të rënda penale, ndër të cilat gjobëvënia, përdorimi i mjeteve shpërthyese dhe tentativa e vrasjes.






















