Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të ndalojnë dhënien e ndihmës financiare ushtarake për Izraelin në fund të këtij viti, duke bërë të ditur se për këtë çështje ka arritur një marrëveshje me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Deklaratën Trump e bëri gjatë një interviste për rrjetin televiziv Fox News, ku theksoi se Izraeli nuk ka më nevojë për rreth 4 miliardë dollarë ndihmë në vit, pasi e konsideroi vendin një shtet ekonomikisht të zhvilluar dhe të aftë për të përballuar vetë shpenzimet e mbrojtjes. “Kemi rënë dakord që deri në fund të këtij viti të mos i japim më fonde Izraelit. Natyrisht, do ta ndihmojmë nëse do të ketë nevojë”, u shpreh presidenti amerikan.
Trump sqaroi se ndërprerja e ndihmës financiare nuk do të thotë se Uashingtoni do të ndalojë bashkëpunimin ushtarak me Izraelin. Sipas tij, ky i fundit do të ketë mundësinë të blejë armë amerikane dhe pajisjet që i nevojiten për mbrojtjen e tij. “Mund të blejnë çfarë të duan”, deklaroi ai, duke nënvizuar se marrëveshja me Netanyahun ishte arritur disa muaj më parë. Ndërkohë, njoftimi ngre pikëpyetje mbi të ardhmen e marrëveshjes dhjetëvjeçare të sigurisë mes dy vendeve, e nënshkruar në vitin 2016, që parashikon 38 miliardë dollarë ndihmë ushtarake amerikane për periudhën 2019-2028, ose rreth 3.8 miliardë dollarë në vit. Sipas Reuters, Trump nuk ka dhënë ende hollësi se si do të zbatohet konkretisht ndërprerja e financimit dhe çfarë do të ndodhë me angazhimet ekzistuese.






















