Edon Zhegrova do të mbetet jashtë listës së Juventusit për vazhdimin e garave të UEFA-s, pavarësisht dëmtimit të Manuel Locatellit, i cili pritet të mungojë deri në muajin mars. Klubi torinez nuk mund ta zëvendësojë mesfushorin italian me futbollistin e Kosovës, për shkak të rregullave të UEFA-s që lidhen me kategorinë e lojtarëve të formuar në Itali.
Këtë e konfirmoi drejtori ekzekutiv i Juventusit, Giovanni Carnevali, gjatë mbledhjes së aksionarëve, duke shpjeguar se Locatelli mund të zëvendësohet vetëm nga një futbollist që plotëson të njëjtin kriter. “Locatelli është një lojtar i formuar në Itali dhe mund të zëvendësohet vetëm nga një lojtar i formuar në Itali. Pra, Ekhator dhe jo Zhegrova”, deklaroi ai.
Juventusi ka shfrytëzuar mundësinë e lejuar nga UEFA për të ndryshuar listën e lojtarëve në rast dëmtimesh serioze, por zgjedhja ka rënë te sulmuesi Jeff Ekhator, i cili u transferua nga Genoa gjatë verës. Futbollisti i lindur në vitin 2006 nuk ishte përfshirë në listën fillestare për shkak të një dëmtimi, por tashmë është rikthyer në dispozicion të trajnerit.
Ekhator ishte pjesë e skuadrës në fitoren 2-0 ndaj Napolit, të dielën në Allianz Stadium, dhe tashmë do të ketë mundësinë të jetë pjesë e Juventusit në ndeshjet e ardhshme evropiane. Ndërkohë, Zhegrova, i cili gjithashtu nuk ishte përfshirë në listën fillestare të UEFA-s, nuk mund të përfitojë nga mungesa e gjatë e Locatellit. Kështu, sulmuesi kosovar do të vazhdojë të jetë në dispozicion të Juventusit në kompeticionet vendase, por pa mundësi aktivizimi në garat evropiane përmes këtij ndryshimi të listës.






















