Panairi i 29-të i Librit “Tirana 2026”, i planifikuar të zhvillohej më 11–15 nëntor, është shtyrë për në dhjetor për shkak të situatës së tensionuar në kryeqytet.
Vendimi është njoftuar nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, pas konsultimeve me botues, pedagogë, mësues dhe lexues.
Sipas organizatorëve, zhvillimi i panairit në datat e parashikuara nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve.
Shqetësimi kryesor lidhet me praninë e të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të publikut të këtij aktiviteti.
Panairi do të mbahet brenda muajit dhjetor, ndërsa datat e reja pritet të njoftohen në ditët në vijim.
Njoftimi
Të dashur kolegë botues dhe ekspozues të Panairit të 29 të Librit “Tirana 2026”,
Të nderuar lexues,
Grupi organizator i Panairit, pas këshillimeve me shumë botues, pedagogë, mësues dhe lexues, vlerëson se organizimi i tij në datat e parashikuara (11-15 nëntor 2026), për shkak të situatës së tensionuar dhe shqetësuese në Tiranë, nuk do të garantonte pjesëmarrjen e duhur të vizitorëve dhe lexuesve, veçanërisht të të rinjve dhe fëmijëve, të cilët përbëjnë një nga grupet kryesore të synuara të Panairit të Librit.
Ju njoftojmë se Panairi i 29 i Librit “Tirana 2026” do të zhvillohet gjatë muajit dhjetor, pra brenda këtij viti.
Datat e sakta do t’jua bëjmë të ditura shumë shpejt.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin dhe durimin, ju urojmë punë të mbarë!






















