Arsyet janë të ndërlikuara. Por problemi nuk është viza e gjatë
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të shkruar gjendet tashmë kudo. IA ka depërtuar në gazetat më prestigjioze (Wall Street Journal botoi një artikull opinioni të hartuar me të) dhe në shtëpitë botuese të njohura (Grasset në Francë është detyruar të mbrojë një autor të njohur, i akuzuar, pa të drejtë sipas tij, se e kishte përdorur në një roman i cili kishte fituar një çmim).
IA gjendet në fjalimet e politikanëve britanikë, në detyrat e studentëve dhe me shumicë në postimet në LinkedIn (sipas një studimi të Pangram, një program që identifikon përmbajtjen e krijuar nga IA, ajo përdoret në 41% të postimeve më të gjata).
Kërkojini Gmail-it t’i shkruajë një letër dashurie partnerit tuaj dhe menjëherë do t’ju propozojë: “Bashkëshorti im i dashur [Emri]…”. E shkruan në çast. Por shpejtësia nuk garanton cilësinë e të shkruarit.
Kujt i bëhet vonë? Reagimet tregojnë se njerëzve u intereson, madje shumë. Përpjekja për të dalluar tekstet e shkruara nga IA është kthyer në një mani.
Proza po shqyrtohet me një vëmendje dhe me një terminologji që dikur u rezervohej veprave në latinisht. Terma të rrallë retorikë si antiteza dhe epanorthosis, ndërtimi “jo X, por Y”, apo tricolon, pra një strukturë me tri pjesë, si veni, vidi, vici, përdoren në rrjetet sociale me zellin e studiuesve të Ciceronit. Kritika letrare rrallëherë ka qenë kaq në modë.
Viza e gjatë (em dash), ndoshta shenja më famëkeqe që përdoret për të “zbuluar” një tekst të shkruar nga IA, duket se është kthyer, për të përdorur edhe një term tjetër të retorikës, në një sinekdokë.
Kjo është figura letrare ku një pjesë përdoret për të përfaqësuar të tërën, si “rrota” për “makinë” ose, ndoshta, “viza e gjatë” për “vjetërsimin intelektual të racës njerëzore”. Por kjo, thotë Maryanne Wolf, profesore e neuroshkencës në UCLA, nuk është një betejë për shenjat e pikësimit. Është një “betejë për mendjet tona”.
IA është një dukuri kaq “e paprecedentë”, thotë Steven Pinker, profesor në Harvard, saqë ende nuk mund të dimë se si, apo nëse, do të ndikojë në gjuhën angleze. Për fat të mirë, ekziston një bazë e gjerë provash, që shtrihet rreth 1,300 vjet pas në kohë, për të kuptuar se çfarë e bën një tekst të mirë. Ajo quhet “letërsia angleze”.
Gjëja e parë që na tregojnë një mijë vjet shkrime në anglisht është se shumica e njerëzve nuk dinë të shkruajnë mirë. Shkrimi u duket i mundimshëm, “si një periudhë e gjatë e një sëmundjeje të dhimbshme”, siç e përshkruante George Orwell, dhe prodhojnë tekste që mund të jenë pothuajse po aq të mundimshme për t’u lexuar.
IA mund të shkruajë keq; njerëzit shpesh shkruajnë edhe më keq. Dan Brown ka shkruar: “Sytë iu zbardhën, si një peshkaqen gati për të sulmuar.” William Wordsworth i kushtoi një poezi një lopate (që fillonte me “Lopatë!”). Lee Child ka shkruar: “Ishte po aq e dallueshme sa gjëja më e dallueshme që mund të imagjinoni ndonjëherë.”
Në të kundërt, IA shkruan me një lehtësi të jashtëzakonshme. Mund të shkruajë një sonet në gjysmë sekonde, një artikull me 1,000 fjalë në dhjetë sekonda dhe një roman me gjatësinë e veprave të Jane Austen-it në gjysmë ore. Dhe megjithëse mund të shkruajë keq, shpesh nuk ndodh kështu.
Në një eksperiment të fundit, ku pjesëmarrësve iu dhanë për të lexuar dy tregime të shkurtra pa u treguar se cili ishte shkruar nga një njeri dhe cili nga IA, studiuesit e Universitetit Villanova zbuluan se tregimi i krijuar nga IA u vlerësua si “më cilësor dhe më tërheqës”.
Megjithatë, letërsia angleze na tregon gjithashtu se të shkruarit nuk është thjesht procesi i hedhjes së fjalëve në një faqe. Siç vërejnë vetë shkrimtarët, shkrimi nuk mund të reduktohet vetëm te fjalët në letër, njësoj si buzëqeshja nuk është vetë gëzimi dhe loti nuk është vetë trishtimi.
Të shkruarit e vërtetë, në thelb, është të menduarit; më saktë, është përpjekja për t’iu përgjigjur pyetjes: “Çfarë mendoj unë?”
Shpesh, “e kupton vërtet se çfarë mendon vetëm duke e shkruar”, thotë Emma Smith, profesore e letërsisë angleze në Universitetin e Oksfordit. Sepse, siç shprehet një personazh i cituar nga E.M. Forster: “Si mund ta di se çfarë mendoj, pa parë më parë se çfarë them?”
Kur Michael Gove, redaktor i The Spectator dhe ish-deputet, ishte pjesë e kabinetit qeveritar, ai u thoshte vartësve të tij: “Mendoni duke shkruar.” Për të ndërtuar një argument të mirë, duhet ta kesh ndjekur logjikën e tij “hap pas hapi” përmes shkrimit. Ata që përdorin IA-në për të shkruar fjalime, thotë ai, po përdorin “monedhë të falsifikuar”.
Por monedha e falsifikuar nuk pëlqehet kurrë; tekstet e shkruara nga IA jo domosdoshmërisht shkaktojnë të njëjtin reagim. Pak njerëz do ta kundërshtonin përdorimin e IA-së për të apeluar një gjobë parkimi, për të plotësuar një deklaratë tatimore apo për të ndihmuar dikë që nuk e ka anglishten gjuhë amtare ta përmirësojë tekstin.
Nëse një kompani përdor IA-në për të njoftuar një politikë të re parkimi, pak njerëzve do t’u interesonte. Por nëse kjo politikë do të shkaktonte probleme dhe kompania do të përdorte IA-në edhe për të kërkuar falje, atëherë, thotë Colleen Kirk, profesore në New York Institute of Technology, “keni një problem të madh”.
Një veprim i tillë rrezikon të shkaktojë “neveri morale”.
Në vitin 1970, eksperti japonez i robotikës Mori Masahiro vërejti se sa më shumë një robot i ngjan një njeriu, aq më shumë afërsi ndiejnë njerëzit ndaj tij, deri në një pikë të caktuar. Kur ngjashmëria bëhet tepër e madhe, afërsia shndërrohet papritur në neveri. Ky fenomen njihet si “lugina e frikshme” (uncanny valley).
Nëse do t’i shtrëngonit dorën dikujt në një dhomë të errët dhe papritur do të kuptonit se kishit kapur një dorë artificiale, shkruante Mori, do të “klithnit”. Tekstet e IA-së, të rrjedhshme, artificiale dhe pothuajse njerëzore, duket se ndodhen pikërisht në një lloj “lugine të frikshme” të prozës. Në rrjetet sociale, të paktën, reagimet janë të forta.
Këtu qëndron paradoksi i IA-së. Tekstet e krijuara prej saj prodhohen më lehtë dhe shpesh mund të jenë më të mira se ato të shkruara nga njerëzit. Megjithatë, njerëzit nuk i pëlqejnë; përdorimi i IA-së mund të dobësojë aftësinë e tyre për të shkruar dhe shpesh reagojnë shumë negativisht kur të tjerët e përdorin atë.
Kjo mund të duket e pakuptimtë, por njëkohësisht është pozitive. Ndërsa njerëzimi po humbet epërsinë intelektuale në fusha të ndryshme përballë teknologjisë që vetë ka krijuar, në shah apo në programim, atij i mbetet ende një avantazh i fundit: fakti që është njerëzor.
Dhe, të paktën tani për tani, njerëzit shpesh parapëlqejnë të lexojnë atë që kanë shkruar njerëzit. Prandaj ia vlen të shfrytëzohet ky avantazh dhe, siç thoshte gjithashtu E.M. Forster, “Vetëm lidhuni me njëri-tjetrin”.
Dhe ndoshta emailet personale është më mirë t’i shkruani vetë. Sidomos ato që fillojnë me: “Bashkëshorti im i dashur…”.
Monitor






















